Gjykata e Apelit lë në burg Valter Bamin, u arrestua pas atentatit në Fushë Krujë

Gjykata e Apelit ka lënë në burg Valter Bamin, i arrestuar pas atentatit në Fushë Krujë në 4 Korrik të këtij viti, ku humbi jetën 29-vjeçari Ramazan Sino dhe u plagosën 2 nipërit e tij të mitur (fëmijët e Gentian Bejtjas).

Apeli e ka konsideruar të drejtë arrestimin e Bamit për akuzën “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe imunicionit”, teksa ende nuk ka asnjë provë konkrete që ai ka qenë i përfshirë në atentatin e ndodhur.

Valter Bami u arrestua pasi pas shoqërimit në polici direkt pas ngjarjes, iu morën shenjat e gishtave. Nga ekspertiza ka rezultuar se në dorën e majta të Bamit ishin konstatuar mbetje baruti. Evidentimi i shenjave të barutit është bërë ne mikroskop elektronik, vendimtar për nxjerrjen e urdhër-arrestit për të. Gjurma e barutit i është gjetur tek kyçi dorës së majtë.

Gjatë gjuajtjes, që mund të ketë qenë në atentatin në banesën e Bejtjas, Bami ka pasur doreza dhe pjesa e gishtave dhe pëllëmbës ka dalë e pastër. Deri tani ka vetëm një akuzë ndaj tij, armëmbajtje pa leje, pasi s’ka ende asnjë provë që ta lidhë me atentatin. Bashkë me Bamin u shoqëruan në polici edhe dy persona të tjerë të cilët ndodheshin në shoqërinë e tij. Pasi janë marrë në pyetje ata janë liruar sepse ndaj tyre nuk ëhstë ngritur asnjë akuzë

Gjatë marrjes në pyetje në drejtorinë e policisë së Tiranës, Bami ka thënë se kur ka ndodhur ngjarja ai po qëndronte në shtëpi. Mirëpo, në dëshminë e tij, Bami deklaroi se nuk ka lidhje me ngjarjen, e se kishte salduar, ndaj kishte mbetje baruti, por hetuesit dyshojnë se është i përfshirë.