Nga “garda e vjetër” në listë të hapur, te deputetët që u lënë stafetën familjarëve, cilat do të jenë zgjedhjet e Ramës

Kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i shpallë në mbrëmje emrat që do të kandidojnë për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Por, teksa pjesa më e madhe janë në ankth nëse do të jenë në listë të hapur apo të mbyllur, një pjesë tjetër e kanë siguruar sërish strehën e PS-së, pasi kreu i socialistëve ka deklaruar që do të jenë në listën e sigurt.

Këta janë ministrat dhe drejtuesit e qarqeve, të cilët do t’i shohim sërish në Kuvend në sesionin e ri parlamentar. Ogerta Manastirliu, Elisa Spiropali, Belinda Balluku, Bledi Çuçi, Mirela Kumbaro, Niko Peleshi, Arbjan Mazniku, Ulsi Manja, Blendi Klosi dhe Eduard Shalsi janë drejtuesit e qarqeve në listën e sigurt. Këtyre u shtohen edhe Ervin Demo, Tërmet Peçi dhe Agron Malaj, të cilët lanë drejtimin e bashkive.

Ndërkohë, “garda e vjetër” do të jetë në fushën e “betejës” për çdo votë të mundshme, nëse do të duan të kenë sërish mandatin e deputetit.

Ndër emrat më të njohur që Rama i ka hedhur në “duart” e qytetarëve janë Erion Braçe, Pandeli Majko, Damian Gjiknuri, Xhemal Qefalia, Etilda Gjonaj, Mimi Kodheli e Milva Ikonomi, teksa nuk dihet nëse Rama do të kandidojë sërish Olta Xhaçkën dhe Klotilda Bushkën, që i kanë ende dosjet në SPAK. E para për investimin strategjik të bashkëshortir, ndërsa e dyta për pengim të drejtësisë në dosjen “Veliaj”.

Drejtuesit politikë kanë edhe të besuarit e tyre që do tentojnë t’i fusin në listat e sigurta. Belinda Balluku është ajo që duket se do ta mbushi listën e Fierit me ish-drejtorët e saj. Ceno Klosi dhe Klevis Jahaj duket se do të jenë në listën e PS-së në Fier, ndërkohë që një vend në listat e sigurta duket të jetë edhe për Ardit Bidon e Arkivave, Ermal Pacajn e Shërbimit të Provës dhe dy prefektët e Vlorës dhe Shkodrës, Plator Nesturi dhe Majlinda Angoni.

Teksa Rama synon që të sjellë në PS një frymë të re, do të ketë edhe nga ata deputetë që vendin e tyre do t’ua trashëgojnë të afërmve, pavarësisht se këta të fundit nuk njihen për ndonjë kontribut në Partinë Socialiste.

Burime për mediat bëjnë me dije se Agron Çela do të vendosë në listën e sigurt të Shkodrës vajzën e tij, Xhenis Çela, ndërsa në vend të Paulin Sterkaj do të jetë një i afërm i tij, Ndriçim Sterkaj.

Në listë pritet të ketë edhe kandidatë nga Diaspora dhe disa të dalë nga platforma “Deputeti që Duam”, teksa do të duhet të pritet mbrëmja që Rama të nxjerrë me radhë drejtuesit e qarqeve për të lexuar emrat e të gjithë kandidatëve.