Rama lëshon Veliajn, zbulohet sms për deputetët e PS

Asnjë nga deputetët socialistë nuk duhet ta mbrojë më publikisht Erion Veliajn, me kryeministrin Rama që si duket ka vendosur ta lëshojë përfundimisht kryebashkiakun në dorën e drejtësisë.

Kjo është ajo që kuptohet nga mesazhi i nisur nga Rama në grupin e “Whatsapp-it” të socialistëve, pasi ka parë një intervistë të Etjen Xhafajt duke mbrojtur Veliajn dhe duke sulmuar SPAK-un.

Në mesazhin e tij, Rama thotë që kushdo që kërkon të bëjë avokati publike, duhet të lërë mandatin e deputetit dhe pastaj të bëjë ç’të dojë, duke e quajtur mendjelehtësi dhe mungesë serioziteti intervistën e Etjen Xhafaj.

Në fund të mesazhit, Rama thotë se mbështetja e PS për SPAK mbetet e palëkundur, ndaj kritikat parimore nuk duhet të jenë muhabete kafenesh të çdo deputeti socialist.

Por pse erdhi ky ndryshim qëndrimi i Ramës?

Kryeministri është shumë i vëmendshëm ndaj reagimit të qytetarëve as çdo ngjarje që ka ndodhur. Arrestimi i Veliajt mbështetet nga mbi 75% e qytetarëve, ndërkohë që mbështetja e qytetarëve të SPAK ka arritur në nivele shumë të larta, duke e bërë Prokurorinë e Posaçme institucionin ku shqiptarët besojnë më shumë.

Duke parë këtë reagim, duket se kryeministri Rama ka vendosur ta lëshojë përfundimisht Veliajn, që tashmë ashtu si Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj apo Lefter Koka, i duhet të përballet vetë me drejtësinë.

Mesazhi i Ramës drejtuar deputetëve të PS:

Jam pa fjale! Me derguan nje interviste te Etienit nga youtube lidhur me Erionin! E paimagjinueshme se si nje deputet i Partise Socialiste mund te flase si ne kafene, si tifoz, duke bere nje avokati banale qe per me teper s’ndihmon askend hic fare, nderkohe qe s’ka asnje lidhje me qendrimin tone parimor per paraburgimin pa gjyq te kryebashkiakut te kryeqytetit! A eshte i pafajshem a i fajshem Erioni apo kushdo tjeter, kete s’ia ka ngarkuar askush as PS, as mua e as Etienit natyrisht, qe ta thote ne mexhelis! Nese Etieni apo kushdo tjeter do te merret me avokati publike, le ta lere mandatin dhe le te thote cte doje pastaj ne cdo cep te kenetes mediatike! Une e quaj kete qe pashe nje mungese serioziteti, nje mendjelehtesi, nje humbje te demshme kohe, kur duhet te merremi te tere cdo minute me detyrat tona per nje fitore triumfale ne 11 maj!

Edhe njehere: Nuk dua te degjoj me asnje prononcim qe cenon pavaresine e Spakut lidhur me rastin a me rastet konkrete, me permbajtjen e akuzave a me pretendimet e te akuzuarve! STOP!

Mbeshtetja jone per Spakun mbetet e palekundur dhe kritikat tona parimore te mundshme, nuk jane as me kohe e pa kohe, as pune e kujt t’i teket nga deputetet ose perfaqesuesit e tjere te PS! Keshtu qe fokusohuni tek detyrat tuaja, ku nuk hyn gjekundi muhabeti i kafenese per drejtesine dhe lutem qe Elisa ta percjelle kete mesazh edhe tek grupi i deputeteve te qarqeve te tjera, meqe sjam ne ate chatgroup!