Pretendoi se apartamenti i Jorgo Goros është në pronësi të tij, GJKKO rrëzon kërkesën e biznesmenit Gentian Sula

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Gentian Sula, për heqjen e sekuestros nga apartamenti 81 metra katrorë, i cili u sekuestrua si pronë e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goros.

SPAK thekson se ky apartament, me vendndodhjen fizike pranë Gardës së Republikës në kryeqytet, është pronë e fshehur dhe e padeklaruar nga ish-kryebashkiaku i Himarës, por biznesmeni Gent Sula ka pretenduar pronësinë dhe se Goros ia kishte lënë në përdorim.

Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Ardit Mustafaj, i cili vendosi ta rrëzojë.

Për ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goron prokuroria ka kërkuar dënimin me 3 vite burg, ndërkohë kërkoi dhe konfiskimin e apartamentit në fjalë. 

Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” në dy raste, si dhe fshehje dhe mosdeklarim pasurie.