U nda dje nga jeta në moshën 79-vjeçare ish-ambasadori shqiptar Shaban Murati. Ai ishte një figurë e spikatur në diplomacinë dhe publicistikën shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit.
Gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, Shaban Murati shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë.
Përveç angazhimeve diplomatike, Murati ishte një autor i njohur, duke publikuar një sërë librash dhe analizash mbi çështjet e Ballkanit, diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ndër veprat e tij më të spikatura janë “Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë” (2004), “Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: fletë nga ditari i një ambasadori” (2007) dhe “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës” (2021).
Për ndarjen nga jeta të Shaban Muratit, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Përmes një mesazhi ngushëllimi, Kurti vlerësoi punën dhe veprën e jashtëzakonshme të Muratit, duke e cilësuar atë jo vetëm si një ambasador të shquar, por si një “kronikan të lartë” të marrëdhënieve të shqiptarëve me rajonin dhe botën.
Postimi i Kurtit:
Mësova sot për ndarjen e papritur nga jeta të diplomatit dhe ambasadorit të shquar, z. Shaban Murati. Për mua ka qenë i shenjueshëm çdo takim me të dhe veprën e tij. Ai nuk ishte thjesht diplomat, ai nuk ishte thjesht ambasador. Shaban Murati ishte një kronikan i lartë i marrëdhënieve të shqiptarëve me rajonin, kontinentin ku përkasim dhe botën. Si rrallëkush, Shaban Murati shkroi një vepër monumentale mbi pozicionet gjeopolitike të shqiptarëve.
Në 19 veprat e tij, Shaban Murati na ndihmoi të orientohemi në rrafshin gjeopolitik dhe të diplomacisë, si shqiptarë, si Kosovë dhe si Shqipëri. Ai ishte kritik për pamjaftueshmëritë e diplomacisë sonë, për disa nga qëndrimet e diplomacisë evropiane në rajon, si dhe për rrezikun e kthimit të dëmshëm të vëmendjes së Rusisë në rajonin ballkanik dhe më gjerë.
Ambasador Murati ka shkruar dhe folur me këmbëngulje për aleancat rajonale jetike të shqiptarëve me Kroacinë dhe Turqinë, siç ka bërë edhe për mendësitë dhe tabutë që cungojnë plotninë e vizionit politik mbarëshqiptar, veçanërisht mbi çështjet dhe historikun e territoreve dhe kufijve.
Është një humbje e madhe për ne të mos e kemi më ambasadorin dhe këshillat e tij dashamirëse e largpamëse në kohët që vijnë. Por, nga ana tjetër, jemi besëplotë mbi jetëgjatësinë e reflektimeve të tij.
Ne i ftojmë me këtë rast të gjithë diplomatët tanë dhe studentët e shkencave humane të drejtohen te librat e ambasadorit Shaban Murati, për t’i kuptuar pozicionet e shqiptarëve në rrjedhën e dinamikave të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë kombëtare. Ne humbëm një njeri, por i kemi gjithnjë në bibliotekat tona mendimet e tij.
Me këtë përkujtim ndaj Shaban Muratit, u shprehë ngushëllimet e mia familjes Murati, miqve të ambasadorit Murati, trupës diplomatike dhe kolegëve të tij, për humbjen e një reflektuesi të madh të çështjes kombëtare!