Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka komentuar shkresën e GJKKO dhe SPAK, me anë të së cilës i kërkoi Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme arsyet se përse nuk ka pasur masa gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliajn, kryebashkiakun e Tiranës, i cili u arrestua mesditën e të hënës për korrupsion dhe pastrim parash.
Duke folur në Euronews Albania, Koçi ndryshe nga socialistët e tjerë ka thyer heshtjen duke e cilësuar të drejtë kërkesën e GJKKO dhe SPAK.
Unë mendoj se shkresa është e drejtë. Është krejt normale ti drejtohen policisë nëse nuk ka pasur masa sigurie që të garantojë cilësinë dhe integritetin si të Gjykatës edhe të SPAK. Unë nuk është se kam ndonjë simpati për grumbullimet, qofshin këto protesta që zhvillohen në afërsi të godinave të gjyqësorit”, u shpreh Koçi.
Megjithatë ai shtoi se i duket e pavend që SPAK, sipas tij, nuk ka vepruar kur deputetët e kuvendit të Shqipërisë kanë dhunuar punonjësit e gardës.
“Mua më duket krejt e pavend që SPAK nuk ka vepruar asnjëherë kur deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë dhunuar punonjës së gardës, megjithëse janë bërë kallëzime penale. Unë mendoj që prapanicat e zyrtarëve duhet të jenë të barabarta para ligjit”, pohoi deputeti i PS.