Viktimizim i socialistëve me familjen, a janë fëmijët e tyre më të mirë se të Natashës?

Pas arrestimit të Erion Veliajt dhe përfshirjes në dosje të Klotilda Bushkës, në Partinë Socialiste janë “tërbuar”, duke nisur nga kryetari Edi Rama dhe të gjithë të tjerët që i kanë dalë në mbrojtje kryebashkiakut të Tiranës.

Ndryshe nga çdo rast tjetër i mëparshëm, këtë herë Rama jo vetëm që vendosi të mos heshtë, por iu bashkua sulmeve të Veliajt ndaj SPAK, ndërkohë që sot sulmoi personalisht edhe gjyqtarin Erion Bani, që miratoi arrestin me burg për kryetarin e bashkisë.

Këtë gjë Rama nuk e bëri për Arben Ahmetajn e as për Saimir Tahirin, po për ndonjë zyrtar tjetër, por vetëm për Erion Veliajn, cfarë të bën të dyshosh përse ky ndryshim qëndrimi i Ramës për drejtësinë.

Ndërkohë, socialistët kanë filluar të viktimizohen me familjet për t’u dukur të pafajshëm në sytë e njerëzve, pavarësisht se dosja e SPAK me qindra faqe tregon përfshirjen e tyre në krime.

I pari e nisi Rama duke thënë se djalin e Veliajt nuk ka kush e çon në shkollë, e më pas vetë kryebashkiaku që shkruante se nuk kishte fjetur nga meraku i djalit.

Sot, radhën e kishte Klotilda Bushka, që sipas SPAK ka penguar drejtësinë të hetojë Veliajn. Ajo tha se e kishte të vështirë t’ua shpjegonte prindërve, fëmijëve dhe shokëve të fëmijëve se ishte e pafajshme.

Po, a mos vallë fëmijët e zyrtarëve socialistë janë më të mirë se të qytetarëve të tjerë?

Në vitet 2014-2015, kur pushteti terrorizoi mijëra familje që nuk kishin paguar energjinë elektrike, shumë prindër u morën me forcë në ambientet e policisë, duke i lënë fëmijët e tyre të vetëm në shtëpi, e disa duke i marrë me vete.

I tillë ishte rasti i Natasha N, e cila u shoqërua së bashku me vajzën e sëmurë 5 vjece në Komisariat për 8 orë, për shkak se nuk kishte ku e linte.

“Në datën 30 nëntor isha afër pallatit duke parë vajzën që po lozte. Erdhën policët dhe më pyetën “Ti je Natasha”?” Unë u thashë po dhe ata më thanë që do të shoqërojmë në polici, pasi nuk kisha paguar dritat.

Dakord, u thashë dhe mora vajzën për dore. Policët më thanë që duhet të gjesh dikë për t’i lënë vajzën. U thashë nuk kam kujt t’ia lë vajzën, nuk kam asnjë njeri të afërt. Pastaj ajo ka probleme shëndetësore dhe nuk rri me asnjeri përveç meje. Më thanë ‘merre pra’”, tregonte Natasha.

Sipas saj, për 8 orë vajza nuk hëngri asgjë, edhe pse ishte e sëmurë.

“Hynin e dilnin dhjetëra policë burra, ku asnjëri prej tyre nuk e fiku cigaren. Dyshemeja dhe muret ishin të pista, ajri u bë gjithnjë e më i rëndë dhe vajzës i merrej fryma. Herë kishte ftohtë dhe herë kishte nxehtë.

Teksa kalonin orët, ajo po vakej nga ajri i rëndë dhe nga uria. Mendova se do më vdiste aty”, shprehej ajo.

Për këto raste, kryeministri Rama nuk foli asnjëherë, por meraku e zuri për djalin e Veliajt, që kopshtin apo shkollën e ka me transport të përfshirë, për shkak se paguajnë qindra euro në muaj.