Veliaj në pranga, Këlliçi: Rama urdhëroi arrestimin e tij për të sfumuar lajmin e ardhjes së udhëheqësit të fushatës së Trump në PD

Partia Demokratike ka reaguar pas arrestimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj me urdhër të SPAK. Sipas PD, ka qenë kryeministri Edi Rama që ka urdhëruar arrestimin e Veliajt pasi këshilltari i lartë i ekipit të fushatës zgjedhore të Donald Trump, Christopher LaCivita do të drejtojë fushatën e Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Sipas PD,  Rama zgjodhi të arrestojë Veliajn sot, me qëllim sfumimin e lajmit të shumëpritur se Partia Demokratike dhe SHBA ecin përkrah njëra tjetrës, më fuqishëm dhe më të sigurta se kurrë.

“Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës së Presidentit Donald Trump, dhe Shefi i Komitetit Kombëtar Republikan, nga dita e sotme do të drejtojë zyrtarisht fushatën e Partisë Demokratike dhe Kryetarit të saj Prof. Dr. Sali Berisha drejt fitores së zgjedhjeve të 11 majit.

Zoti LaCivita paralajmëroi në konferencën për shtyp, se kukullat e George Soros nuk mund të jenë më partnerë të SHBA-ve dhe ato do të çmontohen një nga një.

Atë që deri dje konsiderohej e pamundur, ne do ta bëjmë të mundur!

Tronditja që shkaktoi ardhja e krahut të djathtë të Presidentit Trump, Chris LaCivita, çoi në urdhrin e menjëhershëm dhe të pashmangshëm të Edi Ramës për arrestimin e Erion Veliajt.

Edi Rama zgjodhi të arrestojë Veliajn pikërisht ditën e sotme, vetëm me qëllimin e sfumimit të lajmit të shumëpritur se Partia Demokratike dhe SHBA ecin përkrah njëra tjetrës, më fuqishëm dhe më të sigurta se kurrë”– thuhej mes të tjerash në deklaratën e anëtarit të kryesisë së PD, Belind Këlliçi.

Ndërkohë Berisha në një komunikim të shkurtër për mediat nga selia blu, tha se me arrestimin e Veliajt po shëmbet piramida e krimit.

Erion Veliaj u arrestuan mesditën e sotme me urdhër të SPAK ndërsa “arrest shtëpie” është caktuar ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Masa e sigurisë ndaj saj nuk është ekzekutuar pasi Xoxa ndodhet jashtë vendit.