Kuvendi Rinor Kombëtar i Partisë Socialiste, i cili u mbajt të shtunën në Pallatin e Kongreseve krijoi zhurmë jo për vetë ngjarjen, por më tepër për “dashurinë” e madhe që shprehën disa të rinj, të cilët partinë e krahasuan me diellin dhe u vetëshpallën si petalet me të “bukura të trëndafilit socialist”.
“Në trurin tim, PS-ja funksionon si një orbitë, si një sistem diellor, si dielli që ka gravitetin dhe sjell planetet. Dhe ne sillemi rreth diellit me gravitet”, tha një prej të rinjve.
Këto fjalë u thanë nga Andon Gjoni, i cili artikuloi para kryeministrit Edi Rama dhe bashkëmoshatarëve këtë krahasim të padëgjuar më parë.
Por ky “guxim” i të riut nga Lezha nuk u la në hije nga Partia Socialiste, e cila me sa duket ia kishte gjetur vendin, që para se të fliste në Kuvendin Rinor Kombëtar.
Ai u shpërblye me postin e kryetarit të njësisë administrative Shënkoll dhe lajmin e dha kreu i Këshillit Bashkiak të Lezhës Ernest Rakaj.
“Sot me Zv. Kryetaren Brikena Vuksani ne Njesine Shenkolle per ti dorezuar stafeten ne krye ne puneve ne zone Andon Gjoni! I uroj shume suksese Andonit ne detyren e re ne sherbim te nje zone te mrekullueshme dhe me njerz te jashtezakonshem”, shkruan Rakaj në Facebook.
Ky nuk është rasti i parë që Partia Socialiste shpërblen të rinjtë, të cilët bëjnë krahasime të tilla dhe thurin elozhe për kryeministrin Edi Rama.