Rrëzimi i avionit në Uashington, Trump: Helikopteri ishte në vendin e gabuar, në kohën e gabuar

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka mbajtur një konferencë shtypi mbi rrëzimin tragjik të avionit të “American Airlines” pranë aeroportit të Uashingtonit, duke e cilësuar si  “orë pikëllimi për kombin tonë”.

“Helikopteri ishte në vendin e gabuar në kohën e gabuar dhe ndodhi një tragjedi”, ka deklaruar Donald Trump.

Presidenti u shpreh më tej se helikopteri “po praktikonte dhe kjo është diçka që duhej bërë. Ishte një praktikë që funksionoi shumë, shumë keq”, shton ai.

Pyetjes nëse është e sigurt të fluturosh brenda dhe jashtë DC, Trump iu përgjigj: Ka pasur paralajmërime, por ato janë dhënë shumë vonë.

Më tej Trump fajëson pilotin e helikopterit që nuk e ka parë avionin.

I pyetur nëse ka pasur kombësi të tjera në avion, Trump thotë se po ka pasur, por tha se detajet do të jepen në një njoftim brenda ditës së sotme.