Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë një denoncim nga foltorja e Kuvendit, ku akuzoi kryeministrin Rama se i ka dhënë leje për 2 kulla dhe 1 hotel në qendër të Tiranës një biznesmeni, pasi ky i fundit i ka financuar takimin në Milano me emigrantët shqiptarë.
“Sot, do t’ju tregoj një aferë korruptive të pastër. Një skandal të vërtetë! Një skemë e neveritshme që tregon saktësisht si funksionon kjo qeveri e kalbur.
Gjashtë muaj më parë, Edi Rama u shfaq në një takim madhështor me diasporën në Milano. Organizim i shkëlqyer, para pa fund, dhe shumë shqiptarë shkuan atje, me shpresë dhe besim. Dhe ai, me pafytyrësinë më të madhe, u tha:
“E kemi ndryshuar Shqipërinë, është gati për ju!”
“Kthehuni! Sakrifikoni! Me punë dhe mund do të arrini gjithçka edhe në Shqipëri!” Por, thjesht i gënjeu!
E vërteta është komplet ndryshe: Takimi ishte një farsë e organizuar dhe financuar nga një sipërmarrës me të cilin ai kishte një marrëveshje tipike korruptive! Sipas një investigimi të “Birni-it”, një biznesmen pagoi faturat për këtë spektakël propagandistik! Dhe si shpërblim? Rama i dha një leje ndërtimi për dy kulla dhe një hotel shumëkatësh në qendër të Tiranës”, u shpreh Shehaj.
Por ky nuk ishte denoncimi i vetëm i Shehajt, pasi sipas tij, i njëjti biznesmen që financoi takimin në Milano, financoi fushatata e Partisë Socialiste në rrjetet sociale, me qëllim mbledhjen e të dhënave të emigrantëve shqiptarë për t’i përdorur për propagandën e qeverisë.
“Për të kapur votën e emigrantëve, hapën faqe false në Facebook dhe Instagram. Emra të bukur si “Diaspora Fier”, “Diaspora Lezhë”, “Comunità Albanese in Italia”.
Po çfarë ishin këto?
Ishin mashtrime të sponsorizuara nga kompani të lidhura me Partinë Socialiste, me një qëllim: Të mbledhin të dhënat e emigrantëve me mashtrim.
Emrin, mbiemrin, numrin e telefonit, emailin. Pastaj i përdorin për t’i manipuluar. T’u dërgojnë mesazhe, t’i gënjejnë, t’i përdorin për të përfituar! Dhe kush qëndron pas kësaj? I njëjti biznesmen që organizoi takimin në Milano.
E njëjta skemë: Financon PS-në dhe më pas merr leje ndërtimi, projekte, miliona euro”, u shpreh Shehaj.
Për kreun e Mundësisë, shqiptarët duhet të reagojnë në zgjedhjet e 11 Majit, pasi pavarësisht se përpjekja për për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar mund të duket e vështirë, nuk është e pamundur.
“Nëse doni që Shqipëria të mbetet në duar të Ramës dhe oligarkëve, mos bëni asgjë.
Por nëse doni një Shqipëri ku suksesi nuk varet nga lidhjet politike, ku puna dhe sakrifica shpërblehen, atëherë duhet të reagojmë!
Ata kanë shumë para, shumë media, shumë pushtet, por kjo nuk i bën më të fortë – i bën thjesht më të kalbur. Përpjekja jonë për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar mund të duket e vështirë, por nuk është e pamundur. Kjo është gjëja e duhur dhe e drejta.
Shqipëria duhet t’iu përkasë njerëzve të ndershëm! Shqipëria nuk duhet të jetë një vend për hajdutët! Shqipëria nuk është një vend për mashtruesit! Shqipëria do të jetë vendi i mundësive për shqiptarët e ndershëm”, përfundoi Shehaj.