Detektorë dhe gropa: Kërkuesit e thesareve po rrënojnë parqet arkeologjike

Parqet arkeologjike janë pjesë e rëndësishme e identitetit tonë kombëtar ndër shekuj, por ato po rrënohen nga gërmimet e kërkuesve të arit. Autoritetet nuk po arrijnë të ndalojnë “piratët e thesareve”, që po dëmtojnë objektet simbolike të parqeve në të gjithë vendin.

Qyteti ilir i Amantias është dëshmi e pasur e historisë së bregdetit tonë Jonian. E ngritur që në shekullin V Para Erës Sonë, ai që sot njihet si Parku Arkeologjik i Amantias përbën një nga thesaret më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. 

Pozicionuar në një kodër piktoreske në Labëri, midis një natyre të paqtë, parku nuk vizitohet vetëm nga vendasit e të huaj, por edhe nga ata që njihen si “kërkuesit e thesareve”. Një aktivitet që shpesh bën bashkë njerëz të pasionuar pas historisë dhe rrëfimeve për objekte prej ari.

“Ka gërmime për ar shpesh sepse natën dëgjojmë zhurma makinash, lëvizje të shumta dhe në mëngjes shohin gropa të hapura rreth varreve”, tha një prej banorëve të paktë në fshatin Plloçë në kushtet e anonimatit sepse ndihej i kërcënuar nëse identifikohej.

Fshati ka mbetur në mes të Parkut të Amantias dhe një grusht banorësh janë detyruar të struken përballë gërmuesve ilegalë, që sipas informacioneve disponojnë pasisje dedektimi për objektet qëe gjenden nëntokë, e po ashtu mjete dhe infrastrukturë që shpesh tejkalon atë të agjensive ligjzbatuese.

“Vazhdimisht ka qenë kjo lloj problematike ndër vite. Unë kam 8 vite si drejtor i kësaj drejtorie dhe 4-5 raste të gërmimeve klandesite që janë konstatuar në parkun e Amantias janë referuar në instancat përkatëse”, konfirmoi drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Vlorë, Orgest Feimi.

Kërkuesit, gërmuesit apo piratët e thesareve janë krejtësisht të paligjshëm në hapësirat e trashëgimisë kulturore, të mbrojtura me ligje të posaçme jo vetëm si monumente kulture, por edhe si parqe arkeologjike.

Një pjesë e ngjarjeve evidentohen nga autoritetet dhe prej vitit 2015 Amfora numëroi përmes përgjigjeve zyrtare 3 raste gërmimi ilegal në Parkun Arkeologjik të Amantias, 1 rast në Parkun Arkeologjik të Orikut – ndërsa në vitin 2002 dhe më pas në vitin 2012 u grabitën parqet arkeologjike të Finiqit dhe Bylisit.

Gërmimet për ar po rrënojnë trashëgiminë

“Varri i Çifutit” në Amantia gjendet midis një terreni të vështirë, thellë në park dhe megjithatë u shkallmua në vitin 2013 nga kërkuesit e thesareve. Gurët e mëdhenj në formë drejtkëndëshi ishin kthyer përmbys dhe vetëm në vitin 2019 u ringrit nga specialistët vendas të monumenteve dhe kolegët e tyre të huaj.

Varret janë të preferuarit e kërkuesve të arit sepse përmes pajisjeve detektojnë objekte, që njihen si “inventari” në gjuhën teknike dhe ka raste që përmbajnë bizhuteri apo objekte të tjera prej ari dhe materiale të çmuara.

Punonjësit e parqeve dhe banorët përballen me “zbulime të reja arkeologjike” apo me dëmtimin e atyre ekzistuese sepse kërkuesit gërmojnë me mjete të shumta edhe në disa metra për të marrë prej aty objektet e mundshme prej ari.

“Ata janë dy punonjës mirëmbajtje dhe një specialist që bëjnë mirëmbatjen e parkut dhe shitjen e biletave dhe ata vazhdimishtë kontrollojnë gjendjen e parkut. Ata kanë konstatuar kur ka pas gërmime klandestine dhe ne kemi bërë dokumentacionin përkatës”, shpjegoi drejtuesi i DRTK Vlorë.

Në varrezën antike të Amantias ndodhen një numër i madh varresh me arkitekturë monumentale, gjë e cila tregon jo vetëm praninë e një elite të pasur në këtë qytet antik, por edhe zhvillimin që e karakterizonte qytetin në shekujt IV-II Para Erës Sonë.

Në vitin 2015 edhe nekropoli i qytetit antik Parkut Arkeologjik të Orikut ra pre e gërmimeve klandestine, me qëllim plaçkitjen e sendeve me vlerë brenda varreve. Në Nekropolin e Sadovinës arkeologët gjetën rreth 15 varre të dëmtuara, që mendohet se i përkasin periudhës midis shekujve III-II Para Erës Sonë.

Ironikisht parku qëndron brenda territorit të Bazës Detare të Pashalimanit, por prania e ushtarakëve në tokë dhe në det nuk duket se i pengoi kërkuesit e thesareve që të plaçkisnin 15 varre.

“Ata shkojnë dhe e prishin atë varr apo atë monument. Sepse shikon një varr që mund të ketë të hequr një pllakë dhe konstatohet se e kanë dëmtuar si varr sepse gërmimi i një varri ka një procedurë si gërmim arkeologjik, ndërsa personat shikojnë interesin e vet…”, shpjegoi drejtuesi i DRTK Vlorë.

Në një terren më të butë, as Parkun Arkeologjik i Apolonisë në Fier, nuk i shpëtoi gërmimeve klandestine dhe grabitjeve ndër vite. Më 11 shkurt të vitit 2017 policia zhvilloi një operacion të koduar “Apolonia” dhe arrestoi grabitësit e qindra objekteve arkeologjike.  

Policia e Shtetit njoftoi atëherë për mediat se ndaloi përgjegjësin e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, duke proceduar penalisht drejtorin, së bashku me një punonjës. 

Sipas policisë ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhe të gjatë kohore kishin kryer gërmime në park, duke nxjerrë rreth 230 objekte të formave dhe materialeve të ndryshme. 

“U sekuestruan në cilësinë e provës materiale objekte arkeologjike si bronz, hekur dhe qeramikë”, njoftoi Policia e Shtetit në atë kohë.

“Gjithashtu në banesën e njërit prej prej të dyshuarve u sekuestrua një paisje dedektor për gjurmimin e antikuareve”, shtonte më tej deklarata.

Por këto operacione policore janë që të rralla, sa duket se nuk kanë ndikuar në stepjen e kërkuesve ilegal të arit. 8 kilometra në veri të Sarandës, as Parku Arkeologjik i Finiqit nuk i ka shpëtuar vjedhjeve, pasi dy objekte të rralla janë grabitur nga ky park që prej vitit 2002. 

Objekti arkeologjik ishte një statujë vajze që i përkiste shekullit VI-IV Para Erës Sonë dhe tjetri ishte objekti, “Afërdita pa kokë”, i së njëjtës periudhë. Ndërsa 100 km midis maleve nga aty, Parku Arkeologjik i Bylisit po ashtu ka rënë pre e grabitjes, aq sa në vitin 2012 u morën disa pjesë prej strukturave arkeologjike. 

“Më 8 maj të vitit 2012 në zonën e parkut, në banesën e Terencianit është konstatuar vjedhja e dy kupolave prej bronzi, që shërbenin për mbatjen e menteshave të portës së kësaj banese”, shpjegohet më tej në katalogun për objektet e humbura, përgatitur nga Ish-Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore.

Midis natyrës, terreni favorizon “piratët”

Vjedhjet dhe gërmimet në parqet arkeologjike të vendit lidhen me mungesën e sigurisë, si në territorin e përgjithshëm, ashtu edhe rreth objekteve më të rëndësishme. 

Parku Arkeologjik i Apolonisë ka një sipërfaqe prej rreth 140 hektarësh dhe i Finiqit shtrihet në 35 hektarë. Ndërsa Parku Arkeologjik i Amantias ka një sipërfaqe që vetëm brenda kufijve të tij shtrihet në rreth 13 hektarë dhe zgjerohet më tej në mbi 200 hektarë. Në këtë park sipas drejtorit, Orges Feimi, nuk ka as monitorim me kamera dhe as roje. 

“Një sistem monitorimi me kamera me roje mungon dhe do të ishte i domosdoshëm”, tha ai. 

Pavarësisht se e vlerësoi se është i pamundur rrethimi i të gjithë territorit, sipas Feimit të paktën duhet të ketë monitorim për pjesët me gjetjet më të rëndësishme të Amantias.

“Të paktën pjesët kryesore nëse do të kishte një monitorim me kamera, me roje do ishte më mirë, si për shembull, pjesa e stadiumit, e portës me hark, e varreve monumentale, e varrit të Çifutit dhe pjesa e Qafës së Pazarit”, tha Feimi. 

DRTK Vlorë ka në administrim edhe parqet arkeologjike të Finiqit dhe Orikut, por Amantia është veçanërisht e rrezikuar nga gërmimet klandestine. 

“Në Amantia ka raste sepse mendoj që është shumë pak e zbuluar. Vetëm 20% është e zbuluar nga ajo çfarë ka vërtetë në Amantia, ndaj edhe perceptohet ndoshta që ka shanse për gjetje nga gërmuesit klandesitë”, shtoi ai.  

130 kilometra nga këtu, në Gjirokastër, Parku Arkeologjik i Antigonesë po ashtu nuk ka as roje dhe as monitorim me kamera. Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) në Gjirokastër, parku ka vetëm rrënoja muresh dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 45 hektarësh. 

“Aktualisht nuk ka një ruajtje me shoqëri të specializuar, por monitorohet vetë nga strukturat e institucionit. Kamerat e sigurisë nuk janë prezente, pasi sipërfaqja është shumë e madhe dhe gjithashtu mungon energjia elektrike për ndërtimin e infrastrukturës së monitorimit me kamera”, shpjegoi DRTK Gjirokatsër, në një përgjigje zyrtare për Amforën.

Pozicioni ku ndodhen, kryesisht larg zonave të banuara dhe rrugëve automobilistike e bën edhe më të nevojshme monitorimin me kamera të parqeve arkeologjike, veçanërisht të pjesëve me gjetjet më të rëndësishme arkeologjike. 

Një tjetër qendër e madhe e qytetërimit ilir, Parku Arkeologjik i Bylisit është grabitur në një prej monumenteve që është më i veçuar nga të tjerët. 

“Banesa e Terencianit ndodhet në një pozicion paksa të veçuar nga monumentet e tjera që mund të shkohet nga jugu dhe lindja, pa kaluar nga itinerari kryesor i lëvizjes”, shpjegohet në “Katalogun e Objekteve të Humbura 1990-2016”.

“Pragu i banesës me kupolat në fjalë, është zbuluar në vitin 2008”, shpjegohet më tej në katalog. 

Vendi ynë ka parqe arkeologjike mjaft të rëndësishme për historinë kombëtare dhe atë botërore, si ai i Butrintit, Apolonisë, Bylisit, Antigonesë, Amantias, Finiqit dhe Orikut, por mungesa e mbrojtjes së plotë po rrezikon grabitjen e objekteve me vlerë prej tyre. Amfora.al