“Loja e ndërprerë”, hapet Muzeu i Fëmijëve të Luftës në Kosovë

Çlirimtare Januzaj lindi në kohë lufte në vitin 1999 në një kamp refugjatësh në Shqipëri, ku familja e saj ishte strehuar pas ikjes nga Kosova.

“Më kanë treguar se si kanë dashur që emrin tim ta shohin si simbolikë të çlirimit të Kosovës. Jam rritur me rrëfime të njerëzve që më kanë thënë çika e luftës, na ke çliruar Kosovën dhe kjo më ka bërë të ndihem e veçantë por në të njëjtën kohë edhe shumë konfliktuoze me veten se si mund të jesh një individ në mes të konfliktit dhe rezistencës”, thotë ajo.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Çlirimtarja thotë se kjo situatë e ka nxitur të merret me dokumentimin e krimeve të luftës. Sot një antropologe me profesion, Çlirimtarja ka intervistuar rreth 50 persona që e kanë përjetuar luftën në fëmijëri, rrëfimet e të cilëve janë pjesë e Muzeut të Fëmijëve të Luftës.

Çlirimtare Januzaj
Çlirimtare Januzaj

“Ka qenë gjithmonë proces i ndjeshëm për mua, nuk e kam kuptuar as ndjesinë personale pa i intervistuar njerëzit që kanë qenë fëmijë gjatë luftës. Ka qenë një lloj reflektimi me veten për të parë se ku është pozicioni im në kontekstin e luftës dhe përse është krijuar si një thirrje personale që unë të vazhdoj të punoj me temën e luftës”, thotë ajo.

“Loja e ndërprerë” është emri i këtij muzeu i cili përmban dhjetëra rrëfime të gërshetuara me fotografi e objekte të tjera që sipas drejtuesve të tij paraqesin një udhëtim të fshehjes, ikjes në kushte ekstreme, përballjes traumatike me humbjen dhe vdekjen si dhe të situatës së krijuar pas përfundimit të luftës.

Marigona Shabiu
Marigona Shabiu

“Muzeu si i tillë e ka qëllimin e shërimit kolektiv, e çlirimit prej asaj barre emocionale që fëmijët e kanë përjetuar në atë kohë e që tash janë të rritur mirëpo pasojat e traumat e asaj kohe vazhdojnë t’i përcjellin edhe sot. Edhe unë kam qenë fëmijë 5-6 vjeç gjatë luftës dhe kam shumë kujtime prandaj edhe në nivel personal e ndiej dhe e kuptoj se sa me rëndësi është krijimi i hapësirave të tilla”, thotë Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Ajo thotë se ky muze synon të shërbejë edhe si një hapësirë e edukimit të brezave të rinj mbi ngjarjet e luftës por edhe të nxisë pajtimin.

“Edhe të sigurohemi që këto tmerre, kjo ndërprerje e fëmijërisë në mënyrë të dhunshme nuk iu ndodhë atyre dhe asnjë fëmije tjetër në Kosovë e kudo në botë”, thotë ajo.

Dokumentimi i përjetimeve të fëmijëve në luftë dhe pas saj do të vazhdojë, thotë zonja Shabiu dhe muzeu do të përditësohet në vazhdimësi me rrëfime e objekte të tjera që kujtojnë atë periudhë.

Lufta në Kosovë, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një mijë e 24 fëmijë janë në mesin e të vrarëve, ndërkaq ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi 100 fëmijëve që mbeten pjesë e listave të të zhdukurve gjatë luftës./ VOA