Ndërron jetë gazetarja ukrainase që strehohej në Prishtinë

Gazetarja ukrainase Olha Priadko që strehohej në Prishtinë së bashku me djalin e saj prej vitit 2023, ka ndërruar jetë ditën e sotme.

Lajmin e bëri të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që njoftoi se 51 vjeçarja ndërroi jetë në banesën e saj në Prishtinë, ku strehohej në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”.

“Përkushtimi i saj në gazetari do të kujtohet dhe nderohet nga të gjithë ata që punuan me të”, shkruan AGK në njoftimin e saj.

Një mesazh ngushëllimi dha edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se do t’i qëndrojnë pranë djalit të saj të vogël dhe familjarëve në këto ditë plot dhimbje.

“Na pikëlloi lajmi për ndarjen nga jeta të gazetares ukrainase Olha Priadko.

Olha dhe i biri i saj, Yaroslav, gjetën strehim në Kosovë nga viti 2023, për t’i shpëtuar tragjedisë së luftës në Ukrainë. Ajo ishte gazetare profesioniste dhe nënë e përkushtuar, që mbarte me vete forcën dhe kurajën që vetëm ata që kalojnë vuajtje të tilla mund ta kuptojnë.

Si pjesë e gazetarëve ukrainas të cilët jetojnë dhe veprojnë në Kosovë përmes programit “Gazetarët në Rezidencë” (JiR), të mbështetur nga Qeveria, ajo ndërtoi një jetë të re këtu mes nesh.

Në këtë ditë plot dhimbje, me mendje dhe zemër jemi pranë Yaroslavit të vogël, familjarëve e miqve të Olhës”, shkruan Kurti.