SKANDAL/ Gazetari publikon foton nga Onkologjiku: Të sëmurët me kancer bëjnë kimioterapi në karrige

Një skandal nga pavioni i hematologjisë në QSNUT është denoncuar sot nga gazetari Osman Stafa. Në një fotografi të publikuar në rrjete sociale, shihen se si disa pacientë bëjnë kimioterapi në karrige në vend të një poltroni të posaçëm për trajtimin e duhur.

Stafa thekson se në kushte normale një pacient me kancer duhet të qëndrojë në poltron gjatë gjithë kohës kur bën kimio që shkon deri në 6 orë dhe jo në karrige.

Kjo foto tregon edhe njëherë vështirësitë që hasin të sëmurët me kancer në Shqipëri, përtej propagandës që na ofron qeveria.

Kujtojmë se gazetari ka denoncuar shpesh mungesën e ilaçeve në pavionin e kimioterapisë tek spitali Onkologjik, aty ku mjekët bënin pazar me të sëmurët me kancer.

Më 26 qershor, Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e mashtrimit dhe zhvatjes së pacientëve të sëmurë me tumor në spitalin e Onkologjikut, ku mjekët nuk u ofronin shërbim dhe i dërgonin në klinikën private të mjekut Edmond Gashi, duke përfituar shuma të mëdha parash.

Postimi i gazetarit:

Kjo fotografi është bërë në pavionin e Hematologjisë në QSUNT.

Këta pacientë janë duke bërë kimioterapi.

I shikoni? Kimioterapi në karrige.

Si mund të bësh kimioterapi në karrige, për terapi që shkojnë deri në 6 orë?

Ku janë poltronët?

Si mundet që ky pavion, t’i trajtoj pacientët në këtë formë?

Si mundet t’i lënë pacientët kështu?

Një pacient duhet të qëndrojë në poltron, gjatë kohës që bën kimion, jo në karrige.

p.s Fotografia është nxjerrë nga pacientët.