Kompania “AGTCC Hotel Management”, me anë të së cilës Artan Gaçi, bashkëshorti i Olta Xhaçkës mori statusin e investitorit strategjik, ka pezulluar aktivitetin.
Kërkesa është bërë nga Tauni Lin Grizç-Suton, administratorja e kompanisë, që është edhe partnerja e vëllait të Olta Xhaçkës.
SPAK zbuloi se investimi strategjik ““Dreamades Luxury Suites” do të bëhej në tokë të tjetërsuar dhe vendosi nën sekuestro preventive sipërfaqen prej 5512 m2 në Gjilekë të Himarës, në të cilën do të ngrihej ky resort.
Pas kësaj sekuestro u pezulluan dhe punimet në terren, teksa në Tetor të vitit të kaluar u kërkua edhe pezullimi i aktivitetit të kompanisë “AGTCC Hotel Management”, për të cilën fillimisht Artan Gaçi deklaroi që ishte një shoqëri amerikane me shumë përvojë në menaxhimin e resorteve turistike, por që rezultoi se nuk kishte asnjë përvojë të mëparshme në këtë fushë.
Për tjetërsimin e pronës në Gjilekë është vënë në pranga ish-krytebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro dhe Stavri Mëhilli, ndërkohë që në “arrest shtëpie” janë 3 ish-zyrtarë të Bashkisë dhe ASHK-së Vlorë.
Sipas dosjes hetimore, Jorgo Goro e ka regjistruar pronën pa marrë konfirmimin e Këshillit të Qarkut të Vlorës, në kundërshtim të hapur me ligjin. Në dëshminë e tij përpara prokurorëve, ai është shprehur se ka ndërhyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shtetasve.
Ndërkohë, hetimet kanë nxjerrë në pah edhe shumën e paguar nga Artan Gaçi për të përfituar 5512 metër katrorë tokë të tjetërsuar. Në llogarinë bankare të Stavri Mëhillit janë transferuar 126 milionë e 776 mijë lekë të vjetra, çfarë do të thotë se 1 metër katror tokë buzë detit është shitur me çmimin 23 mijë lekë të vjetra.
Një shumë qesharake, kur kemi parasysh se është në një nga zonat më të bukura të vendit dhe çmimi është të paktën 20 herë më i lartë.
“Gjatë hetimit janë kryer edhe verifikime pranë institucioneve bankare dhe konkretisht, nga verifikimet e kryera pranë Bankës Intesa Sanpaolo, ka rezultuar se shtetasi Stavri Mëhilli disponon llogari bankare. Nga nxjerrja e llogarisë (levizjet) në monedhën ALL (Lekë), rezulton se më datën 27.02.2020, shtetasi Stavri Mëhilli i janë transferuar/kaluar në llogari shuma prej 12,677,600 lekë me përshkrimin: “Kalim sipas kontratës nr. 296 rep nr. 171 kol datë 26.02.2020”, thuhet në dosjen hetimore.
SPAK thotë se gjithë skenari i tjetersimit për çfarë i takon regjistrimit të sipërfaqes së tokës truall prej 5512 m2, pronës me dokumenta flasë, ka qenë me qëllim shitjen e saj tek Artan Gaçi.
“Rezulton të jetë përdorur nga shtetasi Stavri Mëhilli me qëllim regjistrimin e pronës, shitjen më pas përfitimin e të hollave sipas çmimit të rënë dakord në kontratën e shitjes me palën blerëse, përfaqësuesin e personit juridik, shtetasin Artan Gaçi. Nga ana tjetër, procesi i regjistrimit të pronës në fjalë është mundësuar dhe përfunduar nga veprimtaria e kundërligjshme dhe pa bazuar në asnjë verifikim apo akt zyrtar, si dhe në tejkalimin e kompetencave të organeve të qeverisjes vendore, nga funksionarët publikë të Bashkisë Himarë, si dhe nga veprimet në kundërshtim me ligjin për nëpunësit e ZVRPP Vlorë/ASHK Vlorë”, tregohet në dosjen e SPAK.