Vranë dhe groposën të atin e tyre në kasollen e bagëtive, Gjykata e Durrësit kërkon sjelljen me detyrim të 3 fëmijëve në seancë

Seanca ndaj tre fëmijëve të Pëllumb Metës, të akuzuar për vrasjen e babait të tyre është shtyrë pasi Gjykata e Durrësit kërkon që tre të rinjtë të jenë të pranishëm.

Gjykata kërkoi që Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta të sillen me detyrim në seancë, pasi sot i pranishëm ishte vetëm njëri prej tyre.

Hysen dhe Hygerta Meta nuk u paraqitën sot në seancë ndaj gjykata shtyu seancën duke kërkuar që në seancën e radhës të jenë që të tre për të dhënë deklarimet e tyre.

Në dhjetor, Prokuroria e Durrësit përfundoi hetimet dhe çoi për gjykim pesë persona të akuzuar për përfshirjen e tyre në këtë krim të rëndë, mes të cilëve janë tre fëmijët e viktimës, nëna e tyre, dhe një person tjetër që ka ndihmuar në fshehjen e provave. Akuza për vrasje në bashkëpunim rëndon mbi vëlla e motër Hysen dhe Hygerta Meta.

Hysen Meta, një nga të akuzuarit kryesorë, përballet me akuzat për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim.

Hygerta Meta, e cila ka marrë përsipër krimin, akuzohet gjithashtu për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, si dhe fshehje e asgjësim të kufomës. Ndërkaq vëllai i tyre Amarildo Meta, akuzohet për “Fshehjen dhe asgjësimin e kufomës”, të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 303 të Kodit Penal.

Ndërkohë, Blerina Meta, bashkëshortja e viktimës, akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në bazë të nenit 301 të Kodit Penal.

Në këtë çështje është përfshirë edhe Sajmon Bajramaj, pronari i automjetit të përdorur nga të pandehurit për fshehjen e provave. Ai akuzohet për “Mos kallëzim krimi”, pasi dyshohet se ka ndihmuar në largimin e makinës së viktimës në zonën e Sektor Rinia.