Akuzat e Berishës ndaj Majkos, reagon SPAK: Nuk ka asnjë procedim penal ndaj deputetit socialist

Pas akuzave të Sali Berishës se Pandeli Majko ëhstë vënë nën përgjim nga Shërbimi Informativ, ka ardhur edhe reagimi i Prokurorisë së Posaçme.

Në përgjigjen për gazetaren Klodiana Lala, SPAK thotë se nuk ka asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të deputetit socialist Pandeli Majko.

“Pas verifikimeve të kryera në Regjistrin e Kallëzimeve Penale dhe Regjistrin e Protokollit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të shtetasit Pandeli Majko”, thotë SPAK.

Çfarë deklaronte Berisha:

“Provat i ka SPAK-u. SHISH ka dërguar ekipe nga Tirana në ndjekje të trafikantëve të armëve dhe drogës, dhe ata kanë vendosur regjistruesit. Dhe aty kanë marrë leje në gjykatë dhe ajo i ka firmosur lejet përkatëse. Në ato tavolina ku qëndronin këta kriminelë është ulur Majko, Ardian Çela i OSHEE-së. Aty ata janë pataksur nga biseda.

Përgjimet janë të ligjshme pavarësisht se është përfshirë një deputet, por regjistrimet kanë vazhduar ku ndaheshin detyrat ku do të bliheshin shtyllat centrifugale që kushtonin 70-80 mijë euro dhe në tendera janë firmosur 500 mijë euro.

Majko letër Shërbimit Informativ Shqiptar

Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj.

Me cilesinë e deputetit të Kuvendit të Shqiperisë si dhe në bazë të Ligjit nr.8550, datë 18.11.1999 “Për Statusin e Deputetit” e konkretisht të nenit 8 në të cilën thuhet se:

1. Deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij, nga ministrat ose nga drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore, si dhe nga drejtuesit e çdo institucioni tjetër në administratën publike ose të qeverisjes vendore

2. Drejtuesit e institucioneve të përmendura në pikën 1 të këtij neni janë të detyruar t’i përgjigjen deputetit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

3. Në rast shkeljeje të pikës 2 të këtij neni, njoftohet Kryeministri për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Në rastet e enteve apo institucioneve të tjera qendrore, njoftohet organi prej të cilit ato janë zgjedhur.” lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin Tim.

Bashkelidhur, Fotokopje e deklaratës së deputetit Sali Berisha.

DEPUTETI Pandeli MAJKO