Rruga industriale Tiranë-Vorë: Labirint trafiku dhe monument neglizhence

Entela Çapo

Rruga industriale Tiranë-Vorë, dikur një arterie kyçe për tregtinë dhe transportin në rajon, sot ngjan më shumë si një test i durimit për qytetarët dhe bizneset. Me gropa të pafundme, sinjalistikë të mangët dhe qasje të kufizuar, ky aks rrugor jo vetëm që dëmton fluksin e përditshëm të qarkullimit, por mbyt dhe mundësitë për rritjen ekonomike të zonës. Për ata që e përshkojnë çdo ditë, ky itinerar është kthyer në një udhëtim të pafund frustrimesh.

Vite neglizhence e kanë lënë rrugën industriale Tiranë – Vorë, me gropa, si dhe akses të kufizuar për bizneset përreth.

Ky përkeqësim i vazhdueshëm jo vetëm që ndikon në fluksin e trafikut, por pengon dhe rritjen e bizneseve. Qytetarët që varen nga rruga Tiranë – Vorë për lëvizjen e përditshme, thonë për “Sinjalizo!” se gjendja e rrënuar e infrastrukturës është kthyer në një shqetësim gjithmonë e në rritje.

Jorsena Brahimllari, e cila përshkon këtë aks të paktën dy herë në ditë, nga banesa e saj në Vorë drejt Tiranës, tha për “Sinjalizo!” se çdo ditë, shpenzon të paktën dy orë për shkak të trafikut në zonë.

“Çdo ditë trafiku në këtë zonë është i pashmangshëm, në ditë me reshje paralizohet gjithçka. Dy orë Tiranë-Vorë (distancë vetëm 17 km) apo anasjellas, janë shumë”, thotë ajo.

Burbuqe Gjoxhaj, punon në një nga universitetet që ndodhën në këtë zonë. Ajo tha për “Sinjalizo!” se çdo ditë rruga për në pune është një sfidë më vete, pasi në çdo orë që të niset nga banesa e saj, në të shumtën e rasteve e ka të pamundur të arrijë në kohë.

Më tej ajo shprehet se nëse gjendja e rrugës do të vazhdojë të jetë e tillë, mund të konsiderojë edhe ndërrimin e punës.

“Po e mendoj seriozisht për ndërrimin e punës nëse udhëtimi bëhet i papërballueshëm”, thotë ajo.

Infrastrukturë e dobët

Gropat dhe çarjet përgjatë rrugës janë përkeqësuar me kalimin e kohës, duke e bërë atë të pasigurtë për drejtuesit e mjeteve, veçanërisht për ata me automjete të vogla.

Shumë drejtues përdorin rrugë alternative, shpesh më të gjata, për të shmangur këtë rrugë industrial, e cila çon në bllokim trafiku diku tjetër në Tiranë, kryesisht autostradën Tiranë – Durrës, duke komplikuar sfidat e transportit të qytetit.

Eksperti Gëzim Hoxha tha për “Sinjalizo!” se tregu i fruta perimeve është ai që sjell ngarkesë të madhe në këtë aks, po ashtu, edhe sinjalistika sipas tij nuk është e plotë, duke sjellë vështirësi në qarkullim.

“Të gjitha dyqanet shkojnë për tu furnizuar në këto pika, kjo sjell më pas një fluks të madh. Veç këtyre ka dhe biznese të tjera, por veçanërisht tregu i fruta perimeve është ai që sjell ngarkesë të madhe. Rruga nuk është mirëmbajtur, ka mjaft problematika dhe sinjalistika nuk është e plotë. Kjo sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve”, tha Hoxha.

Për më tepër, ky aks ka hyrje-dalje të kufizuara të automjeteve përgjatë rrugës, ku numërohen vetëm tre, një në hyrje fillim të aksit, pranë Spitalit Hygeia, një pranë QTU dhe një tjetër tek mbikalimi i Rinasit, të cilat krijojnë për orë të tëra radhë të gjata automjetesh.

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, eksperti Hoxha sugjeron të bëhet një organizim lidhur me lëvizjen e mjeteve të bizneseve dhe qytetarëve.

“Duhet një organizim tjetër, të bëhet me një grafik të caktuar. Furnizimi i dyqaneve duhet bërë natën, nëse bëhet natën, ditën bie ky fluks i madh që ne kemi. Qarkullojnë ata që e kanë të nevojshme ditën, por jo ata të furnizimit. Duhet një klasifikim i automjeteve me grupe shfrytëzimi. Jo çdo makinë mund të përdorët si mjet transporti”, tha ai, ndërsa shtoi se aksidentet kanë rënë për shkak të shpejtësisë së ulët që lëvizin mjetet prej trafikut.

Ndikimi te bizneset

Efektet më të mëdha të gjendjes së keqe të rrugës i ndjejnë bizneset që operojnë rreth itinerarit Tiranë – Vorë. Zona është shtëpia e shumë prej bizneseve industriale dhe tregtare që kërkojnë akses logjistik dhe transporti në autostradën Tiranë – Durrës, një nga rrugët tregtare më kritike të Shqipërisë.

Megjithatë, mungesa e hyrjeve apo daljeve direkte në këtë autostradë kyçe nga rruga industriale, ka krijuar jo rrallëherë shqetësime për këto biznese. Kamionët dhe automjetet e shërbimit shpesh përballen me vonesa për shkak të trafikut ose detyrohen të kalojnë nëpër rrugë alternative.

Të kontaktuar nga “Sinjalizo!”, pronarët apo dhe shumica e punëtorëve në këto biznese, refuzuan të jepnin një prononcim mbi situatën dhe problematikat që ata hasin në përditshmëri, duke thënë “nuk na lejohet të flasim”.

Nasibja, e cila punon në një institucion arsimor përgjatë rrugës industriale, tha për “Sinjalizo!” se ka vërejtur se shumë biznese ngjitur me vendin e saj të punës hasin vështirësi për shkak të aksesit.

“Në të shumtën e rasteve përjetojnë vonesa të stafit ose të produkteve që duhen çuar në një vend të caktuar”, tha ajo.

Ajo tregon se shkon për në punë me makinën e saj, e cila për shkak të gjendjes jo të mirë të rrugës, shpesh herë është detyruar ta çojë në servis ose të zgjedhë të përdorë transportin publik.

Një problematikë të tillë pohoi dhe Burbuqe Gjoxhaj, e cila tha se disa biznese që ajo ka dijeni, kanë pësuar humbje, kanë pasur vonesa në shërbime dhe një rënie të klientelës për shkak të kushteve të këqija të transportit.

Rruga industriale Tiranë – Vorë si një plotësim i superstradës Tiranë – Durrës, është thelbësore për tregtinë midis kryeqytetit të Shqipërisë dhe qytetit më të madh portual të vendit, por edhe qytetet e tjera më tej.

Sipas ekspertit Gëzim Hoxha, përgjegjëse për rrugën është Bashkia, dhe ajo duhet të marrë masa për të lehtësuar qarkullimin dhe krijimin e kushteve të favorshme për mjetet

“Këtu përgjegjëse është vetëm bashkia. Bashkia është enti pronar i rrugës, ajo është pronare e rrugës dhe duhet të planifikojë. Ajo ka marrë votën për të menaxhuar qytetin. Për të ndarë fondet në mënyrë që t’i shërbejë qytetarëve. Nëse ne na shkon jeta në trafik, nuk jemi aspak të kënaqur. Ndoshta mund të bëjnë degëzime të reja, por duhet gjetur zgjidhje”, tha ai.

Ndërtimi dhe Investimet

Mungesa e mirëmbajtjes dhe investimeve të reja ka ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësitë institucionale dhe planifikimin urban. Në një përpjekje për të sqaruar situatën, “Sinjalizo!” i është drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) me një kërkesë për informacion mbi historikun dhe statusin aktual të kësaj rruge.

Sipas ARRSH, kjo rrugë është ndërtuar në vitin 2006. Nga dokumentacioni i siguruar, bëhet e ditur se kostoja e ndërtimit për “Rrugën paralele superstrada Tiranë-Vorë, Loti 1 (krahu i djathtë)” ka qenë 66,740,698 lekë. Ndërkohë, ndërtimi i Lotit 2 (krahu i djathtë, K.Lidhur) ka kushtuar 78,221,928 lekë.

Në përgjigjen e tyre thuhet gjithashtu se me një vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2020, pronësia e kësaj rruge i ka kaluar Bashkisë Tiranë, duke mos qenë më pjesë e juridiksionit të ARRSH-së.

E pyetur mbi investimet e mirëmbajtjes apo përmirësimit të infrastrukturës rrugore në këto dy akse, Bashkia Tiranë pohoi se ka parashikuar në buxhetin e saj afatmesëm 2024-2026, projektin me objekt “Rikonstruksioni i rrugës dytësore Tiranë – Durrës (Hygea – Megatek)”, por ky projekt mbetet ende në fazën e hartimit të tij.

Në përballje me një krizë infrastrukturore që zgjat prej vitesh, rruga dytësore Tiranë – Vorë mbetet një pengesë e prekshme për bizneset dhe cilësinë e jetesës banorëve dhe punonjësve. Ndërsa institucionet heshtin dhe përgjegjësitë kalojnë nga njëra palë tek tjetra, janë  qytetarët dhe bizneset ata që vuajnë pasojat e një neglizhence të gjatë./ACQJ