Dy ditë më parë u publikua lajmi se BE pezulloi fondet për grantet që supozohej t’u jepeshin fermerëve, pas hetimeve se ato nuk po shpërndaheshin duke iu përmbajtur ligjeve dhe rregullave.
Menjëherë ministrja e Bujqësisë u përpoq të qetësonte opinionin public duke thënë se fondet e BE nuk ishin ndaluar dhe se kjo është një procedurë normale që ndjek Bashkimi Evropian.
Por në fakt, sipas letrës së komisionit, Bashkimi Europian ka pezulluar këstin e radhës dhe të gjitha këstet e mëvonshme të IPARD II si dhe ka ngrirë procedurat për programin IPARD III.
Edhe pse qeveria po përpiqet që të mbulojë këtë skandal që nxjerr në pah edhe njëherë korrupsionin në një tjetër ministri të Ramës, e vërteta është ajo që ata mohojnë.
Por çfarë thoshte Edi Rama një vit më parë për AZHBR dhe programet e bujqësisë?
Në një prononcim për mediat në maj të 2022, gjatë një aktiviteti për investimet e bujqësisë, kryeministri reklamonte programin duke thënë se nuk i përfiton paratë përmes korrupsionit dhe përmes partisë.
“Nga ky program nuk përfitohet më nga përmes partisë, nuk përfitohet më përmes parasë së korrupsionit. Nuk përfitohet më përmes tarafit, kuptohet nga një gjë shumë e thjeshtë, nga fakti që Bashkimi Europian e Akreditoi Agjensinë Në vitin 2018. Koha kur AZHBR-ja ishte degë partie dhe Bujqesia ishte e ndarë në parcela partie dhe, ato pak para që jepeshin jepeshin me Parti, ka vdekur. Kështu që jepini forca. Rroftë Bashkimi Europian”, deklaronte Rama.
Mirëpo tani që BE ka ndërprerë financimet qeveria përpiqet ta mbulojë korrupsionin në këtë institucion, në një kohë kur skandalet, korrupsioni, dhuna, po nxirren në pah nga të katëra anët.
Kryeministri reklamonte punën e ministres Frida Krifca duke thënë se ajo udhëhiqte me mençuri dhe këmbëngulje proceset e negocimit të fondeve me BE. “E ka kthyer AZHBR-në nga agjencia e fundit në rajon për thithje të fondeve të BE, në të parën në rajon.
Dhe ndërkohë duke bërë që edhe Ministria e Bujqësisë të kthehet në një promotore të sipërmarrjes, në një mbështetëse të sipërmarrjes, në një partnere të sigurt të sipërmarrjes dhe në këtë rast si në çdo rast kush guxon, kush ka një ide dhe kush ka këmbënguljen të çojë përpara një projekt, ne na ka në dispozicion”, thoshte Rama.
Mirëpo kryeministri nuk po flet asnjë fjalë tani që edhe ambasadorja e BE Hoffman tha se nëse Shqipëria do fonde nga BR duhet të plotësojë kushtet.
Kryeministri madje ditët e fundit bën sikur skandalet e fundit nuk kanë ndodhur në qeverinë e tij, ndërsa herë pas here komenton problemet me veriun e Kosovës, ose siç bëri dje, reklamon rrugët në jug për të ndihmuar pushuesit.
Pak ditë më parë në një intervistë për mediat Rama ndaloi çdo pyetje që s’kishte lidhje me temën që ai po fliste.