Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka përsëritur kërkesën e saj që pagesat për inceneratorët të ndalohen.
Tabaku thotë se tani që skandali i inceneratorëve nuk është më një sekret, i gjithë shteti është ngritur në këmbë por vazhdon të jetë avokati dhe bankomati për personat në kërkim.
‘Sot që afera e inceneratorëve nuk është më sekret. Që kushdo ka lexuar me sytë e tij kapjen e shtetit. Që para drejtësisë ka 3 zyrtarë të lartë dhe dhjetra të niveleve të ulëta, qeveria duhet që menjëherë të ndalojë kontratat dhe pagesat e inceneratorit të Tiranës. Përndryshe, kjo nuk është më një/disa zyrtarë që kanë abuzuar. Por, i gjithë shteti është ngritur në këmbë dhe vazhdon të jetë avokati dhe bankomati për personat në kërkim. Sot, s’ka më mundësi të thuash: nuk pashë, nuk dëgjova, nuk di. Kushdo që vazhdon pagesat vazhdon të jetë pjesë e korrupsiomit!,”-u shpreh Tabaku.
Kujtojmë se ditën e djeshme ministrja e Financave dhe Ekonomisë përgënjeshtroi deklaratat që kishte bërë vetë dy javë më parë, duke thënë se nga buxheti i shtetit nuk paguhet më për inceneratorët, ndërkohë që më herët kishte deklaruar se shteti nuk mund të mos i paguajë kompanitë koncensionare pasi ka një kontratë me to, e cila mund të prishet vetëm me vendim gjykate.