Mbi 20 ton mandarina janë asgjësuar sot në një pikë grumbullimi për eksport në Divjakë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Asgjësimi i tyre erdhi për shkak të pesticideve të rrezkishme që përmbanin.
Mandarinat janë kthyer nga disa vende të BE pasi përmbajnë substancat te ndaluara te përdorura nga kultivuesit, konkretisht Chlorpyrifos dhe Phosamet, që janë shumë të rrezikshme për shëndetin.
Këto substanca janë ndaluar të përdoren në vendet e BE që në vitin 2020 dhe i njëjti legjislacion është në fuqi edhe në vendin tonë.
Kujtojmë se një ditë më parë eksperti i bujqësisë Ervin Resuli, me një shënim në faqen e tij në “Facebook” denoncoi se gjatë periudhës 29 nëntor-11 dhjetor të këtij viti, sistemi europian i sigurisë ushqimore (RASFF) ka raportuar tre raste të ndotjes me mbetje të pesticideve Chlorpyrifos dhe Phosmet në ngarkesa mandarinash, me origjinë nga Shqipëria.
Sipas tij, këto substanca janë të ndaluara nga BE pasi shkaktojnë dëme afatgjatë, deri në sëmundje kancerogjene.