SPAK ka dalë me një njoftim të ri në lidhje me operacionin në Elbasan, që çoi në shkatërrimin e bandës së Suel Çelës ndërsa pjesë e saj ishin ish-gjyqtar, zyrtar policie, avokat dhe dy gazetarë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u kërkon mediave që të ndalojnë publikimin e akteve hetimore të kësaj dosje, deri në përfundim të hetimeve paraprake.
Në një njoftim zyrtar, SPAK u ka bërë thirrje të gjitha mediave dhe aktorëve publikë që të respektojnë Vendimin e Gjykatës se Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), datë 22.11.2024 “Për caktimin e masës së sigurimit personal” për dosjen e organizatës së Suel Çelës dhe legjislacionin për mbrojtjen e sekretit hetimor.
Sipas SPAK, çdo publikim i paautorizuar jo vetëm dëmton procesin hetimor, por krijon pasoja të rënda për sigurinë e palëve të përfshira dhe integritetin e procesit hetimor.
Kujtojmë se SPAK lëshoi 21 masa sigurie, mes tyre 18 “arrest me burg”, 1 “arrest shtëpie” dhe dy “detyrim paraqitje”.
Dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, drejt vendeve të Bashkimit Europian u dokumentuan nga ky hetim dhe SPAK thotë se me paratë e fituara nga trafiku, organizata ka financuar ndër vite eliminimin e kundërshtarëve në qytetin e Elbasanit.
Mes ngjarjeve të bujshme të zbardhura është tentativa e vrasjes ndaj Ardian Çapjes, në Gusht të 2020, me snajper nga Kodra e Krastës në Elbasan.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u bën thirrje të gjitha mediave dhe aktorëve publikë që të respektojnë Vendimin e Gjykatës se Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), datë 22.11.2024 “Për caktimin e masës së sigurimit personal” për çështjen penale nr. 138 dhe legjislacionin për mbrojtjen e sekretit hetimor. Çdo publikim i paautorizuar jo vetëm dëmton procesin hetimor, por krijon pasoja të rënda për sigurinë e palëve të përfshira dhe integritetin e procesit hetimor.
Në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të ruajtur sekretin hetimor dhe për të ndaluar publikimin e akteve hetimore, GJKKO në vendimin e saj ka urdhëruar që:
“26. Bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale urdhërohet ndalimi i publikimit të kërkesës së prokurorisë, përmbajtjes së saj si dhe i akteve që lidhen me çështjen deri në përfundim të hetimeve, si dhe ndalohet tërësisht publikimi i këtij vendimi deri në përfundim të hetimeve paraprake.”
27. Mosrespektimi i urdhërimit të përcaktuar në pikën 26 të dispozitave të këtij vendimi përbën vepër penale të përcaktuar në nenin 295/a paragrafi 3 të Kodit Penal, me titull “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Sqarojmë se, pas dhënies dhe marrjes së kopjeve të këtij vendimi nga të hetuarit dhe pala mbrojtëse është vënë re se pjesë të tij janë bërë publike në media, në kundërshtim me urdhrin e gjykatës dhe kuadrin ligjor. Të gjitha personave nen hetim ju është përcjellë kopje e vendimit të gjykatës kundrejt firmosjes së procesverbalit për ruajtjen e sekretit hetimor.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbetet e përkushtuar në garantimin e një procesi hetimor të drejtë, transparent dhe në përputhje të plotë me ligjin, duke mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve.