“Tymnaja mbi një autor të dytë është një prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike”. Kështu i cilësoi sot, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, lajmet se në vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani ishte i përfshirë edhe një autor tjetër.
Ministri, ashtu si Policia e Shtetit akuzuan median, ndërsa mes rreshtash Hoxha hodhi akuza edhe ndaj Qëndresës Qytetare që ka bërë denoncime për disa ngjarje të rënda në vend, siç ishte vrasja e Egli Progës në Pogradec, ku policia tentoi që të fshihte ngjarjen.
Qëndresa Qytetare i kujton ministrit se në rastin e Pogradecit, akuzat ndaj Policisë u konfirmuan, ashtu siç u konfirmuan edhe në rastin e vrasjes shtetërore të Klodian Rashës, ku Drejtori i Policisë së Shtetit i vuri në dorë armën viktimës.
Qëndresa Qytetare thotë më tej se lajmësi dhe protestuesit nuk denigrohen nga ata që vendosën standardin Proga dhe Rasha.
Reagimi:
Përgjigje për akuzat e Ministrit Brendshëm ndaj Qëndresës Qytetare!
Zoti Hoxha, lajmësi dhe protestuesit nuk denigrohen nga ata që vendosën standardin Proga dhe Rasha!
Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe Spitali i Traumës kanë nisur një fushatë agressive kundër medies lidhur me tragjedinë e në derën e shkollës Fan Noli, ku mbeti i vrarë Martin Cani dhe i plagosur shoku i tij Luis Meçe.
Policia e Shtetit dhe vetë Ministri i Brendshëm akuzuan median dhe shoqërinë civile ku në deklaratën e tij Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha u shpreh se disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit.
Në rastin e Pogradecit, akuzat tona ndaj Policisë u konfirmuan, ashtu siç u konfirmuan edhe në rastin e vrasjes shtetërore të Klodian Rashës, ku Drejtori i Policisë së Shtetit i vuri në dorë armën viktimës.
Përpara se të ngresh gishtin kundër protestuesve qëndrestarë, kujto vartësit e tu që SKY ti ekspozoi si peng të krimit të organizuar dhe pronarë parcelash kanabisi.
Përpara se ti gjykosh mediet, kërko të verifikohet puna e Policisë së Shtetit për të parandaluar tragjedinë tek “Fan Noli”.
Kërcënimet tuaja nuk do na ndalin dhe ne do të jemi në protestë deri sa për vrasjen e Martin Canit të ketë drejtësi.