Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është rikthyer pas 331 ditësh në selinë e PD-së, pasi u lirua nga Gjykata e Posaçme.
Ai qëndronte në arrest shtëpie prej 30 Dhjetorit të vitit 2023, teksa në hyrje të selisë u prit nga qindra simpatizantë demokratë që me flamuj në duar brohorisnin emrin e tij.
Berisha do të marrë pjesë sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, teksa do të mbajë edhe një konferencë me gazetarët, ku do t’i përgjigjet pyetjeve të tyre.
Tashmë pritet që lideri i demokratëve të udhëheqë edhe mosbindjen civile në Parlament dhe jashtë saj, pasi ka deklaruar se protestat e opozitës do të vijojnë.