Koncesionet në shëndetësi/ Berisha sulmon Ramën e Beqajn: Vjedhje, çuat në varr mijëra të sëmurë për mungesë ilaçesh

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se deputetët e opozitës u treguan me fakte shqiptarëve se si dyshja politike; kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja përdorën sistemin e shëndetësisë për të vjedhur paratë e shqiptarëve.

Ai theksoi se sistemi i vjedhjes u ka kushtuar jetën qytetarëve pasi nuk kanë marrë ndihmë dhe as ilaçe në kohën e duhur për ta.

“Deputetët e opozitës iu faktuan shqiptarëve se Ilir Beqja, ky hajdut pa fytyrë, pa nder, pa moral; se Edi Rama, ky hajdut pa fytyrë, pa nder, pa moral përdorën sistemin e shëndetësisë për të vjedhur dhe shpërdoruar qindra milionë euro dhe për t’i bërë gropën dhe për të çuar në varr mijëra e mijëra të sëmurë për mungesë ilaçesh, për mungesë mjetesh për operacion, për mungesë shtrimesh në spitale.”, tha ai.

“Ditët e fundit në seanca maratonë zhvilloi hetimet komisioni hetimor parlamentar lidhur me vjedhjen e dytë të shekullit. Vjedhjen e Edi Ramës, Ilir Beqjes, Korbës së Kovidit Manastirliu mbi të sëmurët. Vjedhje që kushtuan mijëra e mijëra jetë. Mijëra e mijëra invalidizime nga sëmundjet e pakuruara. Vjedhje të cilat në aspektin e pasojave ngrihen në nivelin e krimeve kundër njerëzimit”, tha Berisha.

Duke iu referuar diskutimeve dhe debateve në Komisionin Hetimor Parlamentar për ‘Sterilizimin”, që drejtohet nga deputetja demokrate Albana Vokshi, ish-kryeministri pohoi se u pa qartë si “drita e diellit”, që koncesioni i sterilizimit dhe koncesioni i check-up ishin “një vjedhje e tmerrshme.”

“Në këto seanca, doli e qartë si drita e diellit se koncesioni i sterilizimit dhe koncesioni i check-upit dhe ai i analizave ishin një vjedhje e tmerrshme. Për të krahasuar përmasat e saj, Lubi Balluku me Edi Ramën në rrugë dhe vepra publike vjedh 90 përqind të fondeve. Lubi Manastirliu, Edi Rama dhe Beqja i tyre në rastin e sterilizimeve kanë rritur çmimin jo 10, jo 30, jo 60 por 83 herë në krahasim me koston e tyre kur ky proces kryhej nga shteti dhe spitalet publike”, u shpreh ai.