Katër të vdekur dhe 14 të plagosur, Erdogan dënon nga Rusia sulmin terrorist në Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar për sulmin terrorist të ndodhur këtë të mërkurë pranë TUSAS-it, Qendrës Hapësinore Turke, ku 4 persona mbetën të vdekur.

Nga Kazani i Rusisë, aty ku po mbahet Samiti i BRICS, Erdogan dënoi fuqishëm sulmin, ndërsa tha se 4 persona kanë mbetur dëshmorë, ndërsa 14 janë plagosur.

“Kemi 4 dëshmorë dhe 14 të plagosur. Dënoj këtë sulm të tmerrshëm terrorist dhe uroj mëshirën e Zotit për dëshmorët tanë”, tha ai.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin, i shprehu ngushëllimet homologut të tij turk, për viktimat e shkaktuar. Reagim për sulmin terrorist ka pasur edhe nga shefi i NATO-s, Mark Rutte.

“Sapo fola me presidentin Recep Tayyip Erdoğan për sulmin terrorist në Ankara. Mesazhi im ishte i qartë: NATO qëndron me Turqinë”,-shkruan shefi i NATO-s në X.