Shiste viza turistike të falsifikuara për të huajt, arrestohet futbollisti në Tiranë

Një 21 vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se siguronte viza të falsifikuara. Siç bëjnë me dije uniformat blu, 21-vjeçari me inicialet Y.Z. siguronte viza të dyshuara të falsifikuara, kundrejt pagesës, për shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme, për të hyrë në Shqipëri, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve me vendet fqinje, për të kaluar më pas në shtetet e tjera të BE-së.

21 vjeçari me profesion futbollist është arrestuar, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij janë proceduar në gjendje të lirë.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve me vendet e BE-së, nëpërmjet tranzitimit në territorin shqiptar, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Viza”.      

Gjatë operacionit u ndalua shtetasi Y. Z., 21 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Sh. S., 43 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. B., 27 vjeç, banues në Gjermani.     Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Y. Z. siguronte viza të dyshuara të falsifikuara, kundrejt pagesës, për shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme, për të hyrë në Shqipëri, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve me vendet fqinje, për të kaluar më pas në shtetet e tjera të BE-së. Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit Sh. S. dhe I. B., të cilët dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin, në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia.