Kundër paktit Rama-Meloni? Vuçiç: Nuk do të pajtohem kurrë me krijimin e qendrave të pritjes të emigrantëve në Serbi

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se nuk do të pajtohej kurrë me krijimin e qendrave të pritjes dhe identifikimit të emigrantëve të paligjshëm për Bashkimin Evropian në tokën serbe. Gjithashtu Vuçiç tha se edhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së, Sllovakia dhe Hungaria nuk ia kanë kërkuan një gjë të tillë.

“Nuk është diskutuar dhe nuk më ka shkuar në mendje që Serbia do të bëhet qendër pritjeje dhe identifikimi”, tha Vuçiç pas takimit me Viktor Orban dhe Robert Fico.

Zyra e qeverisë së Sllovakisë njoftoi dje se qendrat e jashtme për procedurat e aplikimit për azil jashtë Bashkimit Evropian, të ashtuquajturat qendra të pritjes dhe identifikimit, mund të jenë një “zgjidhje novatore” për imigracionin e paligjshëm.

Ndryshe nga kryeministri i Shqipërisë, Vuçiç ka theksuar se nuk do ta bëjë kurrë vendin e tij qendër pritjeje për emigrantët, duke nënkuptuar se është kundër marrëveshjes që Edi Rama nënshkroi rreth një vit më parë me kryeministren italiane Giorgia Meloni.