Me të njëjtat akuza si Ilir Meta, zbardhen arsyet se përse ndaj Monika Kryemadhit u vendos masë më e butë sigurie

Zbardhen arsyet se përse Monika Kryemadhi, edhe pse akuzohet për të njëjtat vepra penale si bashkëshorti i saj, Ilir Meta, u la në masën detyrim paraqitje.

Në dosje thuhet se Gjykata e Posaçme ka marrë parasysh disa fakte, mes tyre dhe gjëndjen shëndetësore të deputetes së Partisë së Lirisë. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Kryemadhi i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve të ndryshme mjekësore.

Gjykata vlerëson se në “caktimin e masës së sigurimit personal ndaj saj duhen mbajtur në konsiderate këto kritere/rrethana: gjendjen ekonomike, shoqërore e familjare e saj, gjendjen shëndetësore të saj (gjatë hetimit ka rezultuar e dokumentuar se i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve të ndryshme mjekësore), rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale për të cilat dyshohet duke u nisur nga masa e dënimit që parashikon secila prej tyre, mënyra e kryerjes se secilës prej tyre, rrezikshmërinë shoqërore të autorit, faktin që personi nën hetim po hetohet për katër vepra penale të ndodhura në kohë të ndryshme, faktin që personi nën hetim dyshohet se është recidivist specifik në veprën penale të “Korrupsionit”, si dhe përbërjen e gjendjes së saj familjare”.

Gjykata vlerëson se të gjitha këto rrethana, e bëjnë të domosdoshme dhe në përputhje me nevojën e sigurimit caktimin ndaj personit në hetim Monika Kryemadhi të masës se sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur ne policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale.

Në vlerësimin e gjykatës kjo masë sigurimi personal është masa më e përshtatshme në raport me rëndësinë e fakteve të kryera nga personi nën hetim Monika Kryemadhi, si dhe masën e dënimit që parashikohet nga neni 260 i K.Penal, (katër deri në dymbëdhjetë vjet burgim), me masën e dënimit të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal (nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim), me masën e dënimit të parashikuar nga neni 257/a/2 i K. Penal (deri në tre vite burgim në maksimum) si dhe faktin që secili episod konsiderohet si vepër më vete. Masa e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur ne policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personin nen hetim Monika Kryemadhi, ishte e përshtatshme ne raport me rëndësinë e faktit”.

Kujtojme se ndaj Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës rëndojnë tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë. Ndryshe nga bashkëshortja e tij, me të cilën është në proces divorci, Ilir Meta u arrestua në një operacion të dhunshëm te “Kthesa e Kamzës” nga Policia e Shtetit.