Dështim në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, si e “bleu” Rama hapjen e negociatave falë marrëveshjeve të firmosura

Kur PS erdhi në pushtet në vitin 2013 së bashku me LSI-në, në marrëveshjen e nënshkruar mes dy partive thuhej se do të mundësohej anëtarësimi në Bashkimin Europian brenda 4 viteve të para të qeverisjes.

Kanë kaluar më shumë se 11 vite prej asaj dite, por vetëm dje Shqipëria arriti të hapte kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit, çfarë u cilësua një moment historik nga kryeministri Edi Rama.

Në këto 11 vite qeverisje, fillimisht në qeveri të përbashkët dhe më pas me “tepsinë” vetëm për vete, Rama dhe ministrat e tij janë përfshirë në shumë mega-skandale, por që kanë arritur të qëndrojnë në pushtet, falë edhe ndihmës së ndërkombëtarëve, që dje i dhanë edhe një herë dorën për të dalë mirë përpara qytetarëve shqiptarë.

Por, çfarë i është dashur Shqipërisë të sakrifikojë për të hapur negociatat me BE-në?

Shumë, jashtëzakonisht shumë! Shqipëria ka ulur kokën përballë kërkesave të vendeve të Europës dhe i ka zbatuar pa  asnjë hezitim, duke shpresuar çdo vit se do të merrte pjesë në Konferencën Ndërqeveritare, por në çdo rast do të gjente kundërshtimin e ndonjë shteti.

Kundërshtime të drejta, pasi edhe pas kaq vitesh në pushtet, qeveria ka dështuar në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç thuhet edhe nga vetë Bashkimi Europian, por këtë herë BE na hapi rrugën drejt anëtarësimit.

Rruga drejt BE-së ka bërë që Shqipëria t’i dalë kundër Kosovës në përballjen ndaj Serbisë, me kryeministrin Rama që nuk linte rast për të sulmuar Albin Kurtin duke i kërkuar që të zbatonte marrëveshjet e ofruara nga “Perëndimi”, por që favorizonin hapur Serbinë.

Kjo rrugë e gjatë drejt hapjes së kapitullit të parë bëri që Shqiëpria të copëtohej dhe t’i falej liderëve të Europës apo të botës.

Shqipëria pranoi që marrëveshja e detit me Greqinë të shkonte në Hagë, pavarësisht se ekspertët kishin deklaruar se në Gjykatën Ndërkombëtare shanset tona janë shumë të vogla. U pranua të jepet deti për të na mbështetur në rrugën drejt BE-së.

Nëpërmjet një marrëveshje që u zhvillua me rroba plazhi mes Ramës dhe Melonit në kohën kur kjo e fundit erdhi për disa ditë pushime në Shqipëri, Italia mori nën administrim Gjadrin dhe e ktheu në tokë italiane, ku do të zbarkojnë refugjatët afrikanë që shpëtohen në brigjet italiane.

A nuk ka Italia tokë të lirë për të ngritur kampe refugjatësh?

Presidencës së Joe Biden dukej se i kishte ardhur fundi, ndaj në SHBA sondazhet nxirrnin gjithnjë e më shumë fitues Donald Trump. Kjo bëri që edhe Rama të lëvizë për të gjetur mënyrën që të kishte mbështetjen e Trump, nëse ky i fundit do të vijë në pushtet në zgjedhjet e Nëntorit.

Rama vendosi t’ia marrë “kalanë nga brenda”, duke i dhënë dhëndrit të ish-Presidentit, ishullin e vetëm të Shqipërisë, Sazanin, këtë ishull që shqiptarët nuk e gëzuan kurrë.

Shqipëria dhe Turqia kanë një marrëdhënie të mirë, por vitet e fundit Presidenti Erdogan ka ndërhyrë ndoshta më shumë se duhet në punët e brendshme të vendit tonë, duke i kërkuar Ramës të heqë gylenistët nga çdo institucion.

Madje, priti disa vite edhe për të inaguruar Xhaminë e Namazgjasë, për shkak se pretendon që në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar ndodhen anëtarët e organizatës “FETO”. Siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë, kjo Xhami do të drejtohet nga një fondacion, duke ia hequr juridiksionin KMSH-së.

Data 15 Tetor 2024 do të mbahet mend për hapjen e negociatave, por kjo datë përkon edhe me hapjen e kampit të Gjadrit dhe me nisjen e anijes së parë me refugjatë afrikanë drejt Shqipërisë.

Të jetë rastësi? E vështirë, kur në mes qëndron qeveria shqiptare, që datat i zgjedh me kujdes. Ndoshta Rama mendoi se hapja e negociatave do të “mbyste” kritikat për hapjen e kampit të Gjadrit, por nuk ndodhi kështu.

Në 11 vite, Rama sakrifikoi Shqipërinë dhe shqiptarët vetëm për të hapur kapitullin e parë të negociatave. Por, sa do të duhet të sakrifikojmë deri në vitin 2030, kur kryeministri ynë mendon se do të arrijmë anëtarësimin e plotë në BE?