Shqipëria hap sot grup-kapitujt për anëtarësim në BE

Shqipëria mban sot në Luksemburg Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian për hapjen e grup-kapitujve në kuadër të hapjes së procesit të negociatave për anëtarësim.

Nga Luksemburgu, kryeministri Edi Rama e cilësoi si një ditë emocionuese për Shqipërinë, e cila hap sot negociatat me unionin për një grup kapitujsh të rëndësishëm ndërsa shtoi se Shqipëria do të jetë gati për t’u anëtarëuar në BE brenda 2030.

“Pavarësisht situatës apo niveleve të ndryshme të vëmendjes, ne nuk kemi hequr dorë. Për ne BE është i vetmi vend ku duam të jemi. I vetmi vend që duam të lemë brezat e ardhshëm. Ky është një moment i veçantë falë dhe Putin, i cili zgjoi më skeptikun që pa që Ballkani është i nevojshëm për një Evropë më të fortë. Do të bëjmë më të mirën që kjo dritare mundësie të mos mbyllet pa ne. Kemi një mal me detyra shtëpie, por jemi në ngjitje e sipër me vullnet dhe nuk kemi dyshim që do të arrijmë atë që duhet. Do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Europian brenda 2030”, tha Rama. 

Ministri i jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, vend i cili ka presidencën e BE, ka deklaruar se në krye të agjendës së tyre është integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Ne kemi nënvizuar prioritetet tona dhe ajo që kemi vënë në krye të agjendës është përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Jetojmë në të njëjtin rajon dhe e dimë çfarë ndryshimi ka zhvillimi në paqe me Ballkanin Perëndimor dhe ndryshe dhe ne mund të ndihmojmë me zhvillime paqësore në situatën e tyre.

Do të ishim të lumtur të kishim vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, sidomos Shqipërinë. Kjo është e mundur falë kryeministrit dhe kabinetit të tij sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha Szijjarto.