Dorëzoi dje mandatin e deputetit, Jurgis Çyrbja paraqitet sërish në SPAK

Jurgis Çyrbja, deputeti socialist i cili dorëzoi mandatin ditën e djeshme, është paraqitur sërish këtë të premte në SPAK.

I shoqëruar nga avokatja e tij Brunilda Kullolli, Çyrbja u pa rreth orës 09:55, teksa hynte në ambientet e prokurorisë.

Edhe pak ditë më parë ai ishte në SPAK, por arsyet e dorëheqjes së Çyrbjes mbeten ende të paqarta.

Ndaj tij në prill të 2021 ka bërë kallëzim nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka. Ky i fundit pretendonte se Çyrbja kishte shpërdoruar detyrën si drejtues hipoteke dhe se para zgjedhjeve të prillit 2021, kur ishte kandidat për deputet, kishte shpërndarë certifikata legalizimi. 

Mandati i deputetit i takon Erjon Mekës, pasi Denis Deliu dhe Arkend Bala kanë marrë mandatin e deputetit pas Lefter Kokës dhe Rrahman Rrajës.

Çyrbja largohet nga Kuvendi pak muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare të vitit 2025, çka do të thotë se nuk do të jetë në listat e kandidatëve të mazhorancës.