Autor: Denis Tahiri
Qeveria shqiptare përballet me pyetjen per fatin e 5 milionë eurove të mbledhura nga 6,541 profesionistë të lirë në bazë të ligjit tashmë pjesërisht të anuluar “Për Tatimin mbi të Ardhurat”. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese vendosi se taksa ishte zbatuar në mënyrë jo proporcionale dhe cenonte liritë ekonomike, procesi i kthimit të parave mbetet i paqartë.
Faturat e gjeneruara “automatikisht” në pranverën e këtij viti si pasojë e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” u përballën me një “lumë” ankesash, pasi nuk pati qartësi se cila ishte formula që dilte shuma që duhej te paguhej.
“U gjeneruan automatikisht në formë abuzive, të papërllogaritura, sepse kur ti mua më gjeneron në sistem që është kjo taksë një milionë lekë në muaj, ti zotëri më thua ta kam llogaritur në këtë formë, por kur ti nuk dërgon as mandat pagese, as urdhër, as mënyrë kalkulimi, po thjeshtë më thua kaq e ke, se kaq e nxjerr sistemi, po sistemi si e nxjerr?”, thote profesori i Ekonomisë Rezart Prifti, i cili shton se ka dentist, që kjo taksë u ka dal 6 milionë lekë në muaj.
Ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga 38 deputet të opozitës,shoqata e kontabilistëve, audituesve dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Gjykata rrëzoi disa pika të ligjit të miratuar me argumentin se ishte një masë jo propocionale dhe cënonte liritë ekonomike.
“Gjykata arriti në këtë përfundim duke mbajtur në konsiderate skemën tatimore dhe në veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj.
Gjjykata vleresoi se ky ligj kap në mënyrë të papërgatitur qytetarët dhe nuk i siguron kohë të mjaftueshme për tu përgatitur, cënon të drejtat dhe liritë e njeriut pasi i merr nga xhepi të ardhura që nuk ishin planifikuar.
Por kjo solli një tjetër problem, një problem prej 5 milonë eurosh të cilat tashmë ishin marrë nga xhepat e qytetarëve dhe kishin kaluar në buxhetin e shtetit. Pyetja që kërkonte përgjigje ishte dhe vijon të jetë se si do të kthehen këto lekë.
Zyrtarisht Ministria e Financave, thotë për sinjalizo se: “ me anë të shkresës nr.11615/1 prot, datë 04.09.2024, i ka parashtruar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave kërkesën për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shprehjen e kësaj Gjykate mbi efektet dhe pasojat e ardhura për tatimpaguesit deri në momentin e hyrjes në fuqi të Vendimit të saj nr.52, datë 27.06.2024, për këstet e tatimit të fitimit të parapaguara nga tatimpaguesit”.
Pra e thenë ndryshme, Gjykata Kushtetuese është pyetur nëse duhet ti kthejë shteti këto para dhe si mund ti kthejë. Por gjykata kushtetuese nuk e pranoi këtë kërkesë të Ministrisë se Financave për të interpretuar vendimin e saj për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit për tatimin mbi të ardhurat për të mos tatuar profesionet e lira.
Gjykata u shpreh se në vendimin e saj në 27 qershor, është saktësuar që vendimi i saj hynë në fuqi në ditën që publikohet në Fletoren zyrtare dhe duke qenë se vendimi që hodhi poshtë pjesërisht ligjin është publikuar në fletoren zyrtare në 5 gusht edhe efektet e tij kanë hyrë në fuqi po në 5 gusht. Kështu duke nisur nga kjo datë, profesionistëve të lirë u ka lindur e drejta të mos paguajnë këstet e tatimit dhe as mos të ngarkoheshin më me detyrime për pagesën.
Por ngërci nuk është zgjidhur. Sipas ekspertit të ekonomisë, Rezart Prifti, shteti mund t’i kthejë lekët e marra nga qytetarët nëpërmjet të njëjtit mekanizëm, ose mund t’i ule nga detyrimet që profesionistëve të lirë u lindin për vitin pasardhës. Për të gjykata Kushtetuese duhet të kishte dhënë një zgjidhje për këtë situatë, por që nuk ndodhi.
Nga ana tjetër, edhe për juristin Ledio Braho, Gjykata Kushtetuese duhet të kishte dhënë një zgjidhje.
“Neni 76, pika 4, thotë që Gjykata Kushtetuese mund të vendos që vendimi për shfuqizimin e një akti të prodhojë pasoja për një datë tjetër, të ndryshme nga hyrja e tij në fuqi. Pika dy thotë vendimi i gjykatës kushtetuese që ka shfuqizuar një ligj, si është në rastin tonë, të papajuteshëm me kushtetuten, si rregull sjell efekte juridike nga data e hyrjes së tij në fuqi, si rregull data e hyrjes në fuqi, është data e publikimit në fletoren zyrtare”, thote Braho duke shtuar se Gjykata e ka patur detyrim që të rregullonte efektet e ligjit.
“Gjykata Kushtetuese mundësinë e kishte për ta zgjidhur, të drejtën e kishte, por unë them që Gjykata Kushtetuese ka bërë politikë, çfarë është paguar deri në 5 gusht ti gëzoj shteti, pas datës 5 nuk paguhet më gjë”, thotë ai.
Për të aktualisht, është vullnet politik kthimi i taksave të parapaguara, por që juristi Braho shprehet skeptik në kthimin e këtyre parave.
Ndërsa ekspertët ligjorë dhe ekonomistët shprehin skepticizëm mbi mundësinë e një rimbursimi, qeveria shqiptare ende nuk ka dhënë një përgjigje të qartë. Me hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nga muaji gusht, pyetja se si, apo nëse, 5 milionë eurot do të kthehen qytetarëve mbetet pa përgjigje. Mungesa e një qëndrimi zyrtar ka rritur dyshimet nëse tatimpaguesit (që nxituan të jenë të rregullt në shlyrjen e detyrimeve) do t’i marrin ndonjëherë mbrapsht paratë e tyre./ACQJ