Prokuroria e posaçmë ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me disa mesazheve që u kanë shkuar politikanëve, përfshirë këtu edhe Gazment Bardhin e PD, përmes aplikacionit Signal.
SPAK thotë se nga verifikimet e bëra deri tani, këto mesazhe janë të manipuluara dhe se nuk kanë rrjedhur nga zbërthimet e mesazheve në SKy Ecc.
Ndër të tjera, Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve
Kujtojmë se në aplikacionin Signal, kreut të grupit të PD-së, i mbërritën disa mesazhe ku pretendohej se Ervis Martinaj i ka dhënë 100 mijë euro.
Ervis Martinaj shfaqej si personi që financonte fushatën e PD për zgjedhjet e 2021 me kërkesë të Shkëlzen Berishës, por SPAK thotë se këto mesazhe janë të manipuluara, duke sajuar biseda të pavërteta.
Reagimi i SPAK:
Në përgjigje të interesimit të shtuar të mediave informojmë publikun se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal.
Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme.
Prokuroria e Posaçme, po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve.
I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara.