Protesta e opozitës mund të zhvendoset nga Kryeministria drejt Parlamentit Evropian. Kështu ka deklaruar drejtuesi politik i PD për qarkun Tiranë, Belind Këlliçi gjatë një interviste televizive, ku tha se shtrirja e protestës përtej kufijve po diskutohet si një mundësi.
Këlliçi u shpreh se po diskutohet që protesta mund të zhvendoset edhe para Parlamentit Evropian, ide për të cilën ai thotë se është plotësisht dakord.
Gjishashtu Këlliçi zbuloi se PD do të protestojë sërish brenda muajit tetor, por duke mos dhënë detaje rreth datës.
“Hapi jonë i radhës është radikalizimi i mëtejshëm i protestave, përballja pa asnjë limit me këtë mazhorancë dhe thirrja e protestës së radhës që për pak ditë do të njoftohet dhe padiskutim po diskutohet që mund të zhvendoset dhe para Parlamentit Evropian, unë jam padiskutim pro kësaj ideje.
Aksioni i radhës do të jetë brenda muajit Tetor me 99%. A është në Shqipëri apo jashtë, ky nuk është një vendim që e marr unë, por e merr Kryesia e PD-së dhe që e merr lidershipi i PD-së. Jam i bindur se brenda 2 javësh do të ketë një reagim të radhës që është i domosdoshëm për situatën ku jemi”- tha Këlliçi për Klan News.