Morën donacione jashtë rregullave, gjobiten disa kryebashkiakë socialistë dhe kandidatë të zgjedhjeve të 14 majit, lekët do ia kthejnë KQZ

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka gjobitur disa prej kandidatëve në zgjedhjet e 14 majit, për arsye sepse kanë marrë donacione jo në rrugë bankare, por donacione jashtë rregullave.

Janë një sërë kandidatësh të majtë e të djathtë, të cilët kanë marrë lekë “nën dorë” gjatë fushatës së tyre elektorale.

Më konkretisht janë gjobitur:

Kreu i Bashkisë Elbasan, Arif Tafani me 206 mijë lekë

Kreu i Bashkisë Fier, Armando Subashi me 138 mijë lekë

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako me 75 mijë lekë

Kryetari i Bashkisë së Kuçoves, Kreshnik Hajdari me 500 mijë lekë

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi me 243 mijë lejë

Mariglen Disha i Librazhdit me 125 mijë lekë;

Agron Malajn i Burrelit me 80 mijë lekë,

Bukurosh Maçi i Peqinit me 70 mijë lekë, Albert Mlyshi i Mirditës me 300 mijë lekë, Bardh Spahian, kandidatin e PD në Shkodër me 445 mijë lekë.

Po kështu gjoba dhe për Bujar Hoxhën, kandidat i PD në Urën Vajgurore 156 mijë lekë, për Igli Carën, 368 mijë lekë; për Lefter Maliqin 170 mijë lekë, për Luçiano Boçin 72 mijë lekë, për Pjerin Ndreun 720 mijë lekë.

Po kështu KQZ gjobiti për shkelje të Kodit Zgjedhor subjektet politike, PS me 300 mijë lekë dhe PD me 200 mijë lekë.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se paratë e marra duhet t’ia kthejnë KQZ.