Ervin Salianji letër nga burgu qytetarëve përpara protestës së opozitës: Populli shkund çdo tirani! Ata po korrin frikën që mbollën vetë

Ervin Salianji i është drejtuar qytetarëve me një letër nga burgu përpara nisjes së protestës së opozitës.

Në letrën e tij, ai u kërkon qytetarëve të mos dorëzohen, por të luftojnë për dinjitetin dhe të drejtat e tyre, pasi pushteti sipas tij, në këto orë po korr frikën që mbolli vetë.

“Populli shkund çdo tirani”, e mbyll letrën e tij ish-deputeti, teksa kujtojmë se protesta do të nisë në orën 18:00 dhe si asnjëherë më parë, nuk do të ketë fjalime, por vetëm veprime të qytetarëve, që do të marshojnë të paktën deri në orën 22:00.

Letra e plotë e Salianjit:

Në këto orë, ata po korrin frikën që mbollën vetë!

E dimë që  menduan se do na frikësonin, e sot më shumë na forcuan. Qëndresa jonë është shpërbërja e tyre!  Ne e dimë që shumë nga ne sakrifikojnë e rezistojnë sepse na takon ne së pari të jemi muri që ndal të keqen. Na takon ne dhe vetëm ne të jëmi forca e shembullit.

Miq,

Të humbësh lirinë për të fituar forcën e goditjes ndaj padrejtësisë, është zgjedhje e ndërgjegjies. Të humbësh lirinë në betejë për të fituar demokracinë e qeverisje të mirë për njerëzit, është vlera më e lartë.

Të humbësh lirinë  duke fituar besimin në sakrificë është forma më ë lartë e fisnikërisë civile. Të fitosh lirinë duke protestuar me besimin që shqiptarët meritojnë një tjetër zgjidhje, është rruga!

Reago, mos humb veten, as dinjitetin, as të drejtat!

Reago, sepse forca dhe e drejta janë me ty!

Reago!  Reago për pagën e degraduar; për fitimin e munguar; për pronën e pafituar, për jetën e shtrenjtuar, për fjalën e cunguar, për shpresën e mpirë, për një Shqipëri më të mirë.

Populli shkund çdo tirani!