Zëdhënësja e PD zbulon detaje nga protesta e 7 Tetorit: Nuk do ketë dhunë, protestojmë në formë demokratike

Opozita ka thirrur në protestë kombëtare qytetarët shqiptarë të hënën e 7 Tetorit, pas fillimit të mosbindjes civlie në Kuvend.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Florjana Garo, zbuloi disa detaje nga protesta, ku tha se për herë të parë nuk do të ketë fjalime apo persona që do ta udhëheqin, por do të jenë vetë demokratët që do ta organizojnë atë.

“Ajo që mund t’ju them është se protesta këtë herë do të organizohet nga vetë protestuesit. Nuk do ketë udhëheqës në krye të protestës dhe ky është ndryshimi nga protestat e tjera. Nëse në protestat e tjera ka pasur fjalime dhe një organizim më konçiz, këtë herë janë vetë demokratët që do ta organizojnë protestën ashtu siç e ndiejnë. Ky ndryshim ka ndodhur pasi ka ardhur pika e vlimit,”, tha ajo.

Sipas saj, në këtë protestë nuk do të ketë dhunë, por do të përdoren metoda dhe forma demokratike të protestës, pasi opozita nuk beson te armët dhe do ta mbrojë demokracinë.

“Rasti i zotit Berisha, i cili qëndron pa akuzë i mbyllur në shtëpinë e tij, përveç kësaj, edhe rasti i zotit Salianji, pra janë bërë një seri komponentësh që pas protestave që vijojnë në Partinë Demokratike. Besoj se 7 tetori do të jetë një kulm i kësaj gjendjeje. Sigurisht që ne nuk flasim për dhunë, por flasim për metoda demokratike të protestuarit. Ne nuk besojmë tek armët, nuk jemi parti e tillë. Por ne duam që zëri ynë të dëgjohet dhe të lëmë atë shenjën se ne jemi këtu dhe duam ta mbrojmë demokracinë me çdo kusht”, tha Garo.