Ilir Proda betohet dhe merr detyrën si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Ilir Proda është betuar sot si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Proda u prezantua nga Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili gjatë fjalës së tij tha se sot hapet një kapitull i ri për Policinë e Shtetit.

“Sot hapim një kapitull të ri në rrugën e përpjekjes së organizatës së policisë për tu rritur dhe zhvilluar profesionalisht. E vetmja vështirësi e drejtorit të ri edhe kjo në aspektin pozitiv mbetet standardi ku është ngritur policia e shtetit e cila duhet të vijë në rritje dhe konsolidim”, u shpreh ministri.

Nërkohë Proda e konsideroi një përgjegjësi të lartë ushtrimin e kësaj detyre dhe u shpreh se është i vendosur për të mbrojtur rendin dhe sigurinë publike.

“Faleminderit për besimin që më keni dhënë për të ushtruar këtë detyrë me përgjegjësi të lartë. Duke qenë se jemi në procese të reja implementuese dhe konkurruese, siguroj që ato do të jenë të bazuara mbi performancën që ka çdo drejtues që do të konkurrojnë mbi ato pozicione dhe integritetin, asnjë faktor tjetër”- tha Proda.

Ilir Proda ishte emri që ministri Hoxha i propozoi kryeministrit Rama për Kryepolic dhe kandidatura e tij u miratua dje në mbledhjen e qeverisë.