Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar lidhur me incidentet e dhunshme dje në Kuvendin e Shqipërisë. Në një postim në X, Ambasada e SHBA deklaron se akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik.
Më tej ambasada e SHBA nxit palët për vetëpërmbajtje dhe dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë.
Postimi i Ambasadës:
Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike.
Kujtojmë se më herët në lidhje me këto incidente reagoi edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato.
Në një deklaratë për mediat ambasadori i BE tha se është për të ardhur keq që disa deputetë e shprehin kundërshtimin ndaj një ideje duke përdorur dhunë ndërsa bëri thirrje që të ulë tensionet.
Ai tha më tej se është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Shqipërisë të luajë rolin e duhur në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtar i BE në një demokraci funksionale.