“Agjitacion dhe propagandë”, drejtësia e re e Fatmir Xhafajt! Dënimi politik i Ervin Salianjit, denoncimi i tij burgosi vëllanë e ish-ministrit

Jemi në demokraci apo diktaturë? Këtë nuk e dimë ta themi ende me saktësi, por sot më 26 Shtator 2024, 34 vite pas rënies së komunizmit, hyri sërish në fuqi ligji për dënimin për “Agjitacion dhe propagandë”.

Ervin Salianji është viktima e parë e këtij ligji, i dënuar nga Gjykata e Apelit me 1 vit burg për shkak se denoncoi Agron apo Geron Xhafajn, vëllanë me 2 emra të ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-hetuesit në kohën e komunizmit, Fatmir Xhafaj.

Deputeti demokrat nuk bëri asgjë më shumë se sa ia kërkon detyra, denoncimin e çdo rasti të korrupsionit apo të çdo trafikanti që qarkullon lirshëm në vendin tonë. Këtë bëri edhe me Agron apo Geron Xhafajn, për të cilin deklaroi se jetonte i lirë në Shqipëi për shkak të vëllait të tij ministër, në një kohë kur Italia e kishte dënuar me vendim të formës së prerë.

Më pas, Salianji publikoi edhe një audio-përgjim ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm  bisedonte për një dërgesë kanabisi drejt Italisë. Por, denoncimi mori rrjedhë tjetër dëshmitari Fredi Alizoti ndryshoi dëshminë duke deklaruar se kishte aktruar duke imituar zërin e Agron Xhafajt.

Këtu nis një tjetër histori, ku Agron apo Geron Xhafaj denoncon për kallëzim të rremë Ervin Salianjin, ndërkohë që edhe pse i mohonte akuzat për përfshirje në trafik droge, shkon të dorëzohet te autoritetet italiane.

Gjykata e shkallës së Parë e merr seriozisht denoncimin e Agron Xhafës dhe dënon me 1 vit burg Salianjin, duke vërtetuar sipas saj se audio-pergjimi ka qenë montazh. Të njëjtin vendim la në fuqi edhe Apeli, që me vendimin e formës së prerë i heq 1 vit liri deputetit opozitar.

Por përse ky vendim ndaj Ervin Salianjit?

Ervin Salianji “shkeli në kallo” atë që preferon ta quajë veten “babai i drejtësis shqiptare”, Fatmir Xhafajn, duke detyruar të vëllanë që t’i dorëzohet autoriteteve italiane për të shlyer dënimin. Prishja e qetësisë familjare nuk është kapërdirë nga Xhafaj, që njihet për lidhjet e tij me prokurorë e gjyqtarë.

Madje, atij i është besuar edhe drejtimi i Komisionit të Posaçëm që u krijua nga mazhoranca as më pak e as më shumë , por për të kapur institucionet e drjetësisë së re, SPAK, BKH dhe GJKKO, pas arrestimeve radhë të ish-zyrtarëve të lartë socialistë.

Ervin Salianji nuk denoncoi zyrtarisht dhe nuk ka asnjë provë se është takuar me Fredi Alizotin, por sërish gjykata vendosi ta dënojë si në komunizëm, për “agjitacion dhe propagandë”.

Ky dënim politik me bekimin e Xhafajt, përbën një precedent të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri, pasi i mbyll gojën deputetëve opozitarë të denoncojnë të afërm të zyrtarëve të mazhorancës.

Sot, një ligj i vjetër hyri sërish në fuqi me urdhër të njerëzve që i shërbyen drejtësisë së komunizmit.

Nëse mund të kishte patur ndonjë dyshim deri më sot, ky vendim tregoi se drejtësia e re nuk është asgjë më shuëm se sa e njëjta drejtësi e disa viteve më parë, që urdhërohet nga të njëjtët njerëz e si “make up” ka vetëm disa godina të reja.