SULLTANATI RAMA!

Ai ka qenë basketbollit, piktor, e bënë ministër e më pas kryeministër. Nga viti 2013 ai është bërë edhe inxhinier, polic, mjek, prokuror e gjykatës, pasi jep mendje për çdo gjë dhe kudo që shkon, duke mësuar profesionistët si të bëjnë punën e tyre.

Ai është Skënderbeu i Elisës, Zeusi i Edonës, Komandanti i Tërmetit, Brandi i Milvës dhe Kryetari i Erionit. Ai di gjithçka, përveç vjedhjeve që i bëhen buxhetit të shtetit. Ai nuk e di ku shkojnë miliona eurot e inceneratorëve, as milionat e Sterilizimit, apo më pak milionat për rrugët që na ngelën rrugëve.

Ai është Edi Rama, që pushtetin që i dhanë shqiptarët nga viti 2013, e ka shtuar aq shumë, sa është kthyer në një “Sulltan” dhe  e ka kthyer vendin në sulltanatin e tij.

Qeveria e tij, e përbërë nga ai dhe disa ministra që i ndërron sipas qejfit, një pjesë duke i kaluar nga ministria në ministri, e një pjesë tjetër nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, ka marrë vendime shumë të rëndësishme pa asnjë konsultim.

Fillimisht e nisi me idenë e Ballkanit të Hapur, kur pretendonte të ishte lideri i rajonit, por që më shumë i shërbente Serbisë për të patur dalje në det dhe për t’i dhënë akses në portet shqiptare. Për fat të mirë, ky projekt tashmë pothuajse nuk ekziston më.

Më pas, ishte vendimi i çështjes së detit me Greqinë, kur vendosi për ta çuar në Gjykatën Ndërkombëtare. Sipas ekspertëve, dërgimi në Hagë i kësaj çështje është një “vetëvrasje”, pasi sipas të gjitha gjasave, kjo gjykatë do t’i japë të drejtë Greqisë.

Por shitja dhe copëtimi i vendit nuk do të mbaronin këtu. Një ditë nëntori, papritur gjatë një interviste me homologen italiane, Rama njofton se një pjesë të Lezhës do t’ia japim Italisë të strehojë emigrantët afrikanë që i drejtoheshin brigjeve të saj.

Ky lajm i gjeti të papërgatitur të gjithë, madje edhe socialistët për të cilët Rama tha se kishte biseduar për këtë marrëveshje. Pavarësisht kundërshtimeve nga qytetarët apo organizatat ndërkombëtare, Gjadri u “shit” te italianët, teksa kanë mbetur pak ditë nga fillimi i strehimit të afrikanëve në vendin tonë.

Vetëm pak muaj më parë, një artikull i amerikanes “Bloomberg” nxori në pah një tjetër plan të Ramës, atë të dhurimit të Sazanit për Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, i cili do të ndërtojë në ishullin e vetëm shqiptar resorte dhe vila luksoze.

Lajmi solli reagime të shumta në vend, me vetë Ramën që tha se ishte ende në diskutim dhe nuk kishte asnjë vendim, por Ivanka Trump, partnerja e Kushner dhe vajza e Donald Trump, foli për një tjetër media duke treguar se projekti ishte gati dhe do të fillonin nga puna.

Sot, shqiptarët nuk kanë mundësi të shkojnë dhe të shohin Sazanin, pasi iu është dhënë amerikanëve, ndërkohë që me shumë mundësi, nuk kanë për ta patur kurrë më në jetën e tyre, për shkak të çmimeve stratosferike që do të kenë vilat dhe hotelet në atë ishull.

Surprizën e radhës na i bëri pak ditë më parë New York Times, që tregoi planin e Edi Ramës për të formuar një shtet bektashi brenda Tiranës, në një sipërfaqe prej 27 hektarësh. Ky shtet në formën e Vatikanit, do të drejtohet nga Kryegjyshi i Bektashinjvë, Baba Mondi, dhe do të ketë kufijtë, pasaportat dhe administratën e tij.

Edhe në fjalën e tij në Asamblenë e OKB-së, Rama foli për krijimin e këtij shteti, ndërkohë që nuk është pyetur asnjë qytetar, as nuk është diskutuar në Kuvend apo në institucione të tjera përgjegjëse.

Shqipëria sot është kthyer në një sulltanat me sulltan Edi Rama I, i cili merr çdo vendim pa u konsultuar me grupet e interesit, dhe më vonë detyron deputetët të votojnë pro çdo vendimi të tij. Sot Shqipëria nuk i ngjason aspak asaj demokracie për të cilën u ngritën studentët e dhjetorit, por është bërë shteti i një njeriu të vetëm.

Sot, Shqipëria rrezikon më shumë se kurrë demokracinë e saj, falë veprimeve të një njeriu që mendon se i di të gjitha, e që për fatin e keq të shqiptarëve, mundësitë janë që ta kemi edhe për një mandat tjetër, ku nuk dihet se cila pjesë e Shqipërisë do të falet këtë herë.