Kineastë dhe gazetarë të njohur britanik e gjerman së bashku me akademiken Lea Ypi, e mirënjohur botërisht nëpërmjet librit të saj “Të lirë”- “zbarkuan” -out of schedule -në arkivin e Ish-Sigurimit të Shtetit, një vizitë e ngacmuar nga kontakti i tyre me kulturën dhe historinë shqiptare.
Të organizuar, nga Joanne Ooi, themeluese e EA Festival, një festival letrar shumë i njohur në Mbretërinë e Bashkuar, ata janë një ekip shkrimtarësh, publicistësh dhe mendimtarësh të mirënjohur që i japin jetë nismës “Liri dhe Transformim”, i cili mbyll edhe Javën Kulturore Britanike (16-22 shtator) në Tiranë.
Ekspertë të temave nga historia dhe kultura ballkanike, të drejtat e njeriut, migracioni, çështjet e sigurisë, nga politika te poezia, gazetarë, teksa vizituan arkivin e ADSSH iu ndez këshëria për të njohur më thellë të kaluarën e Shqipërisë, mekanizmin e errët të shtypjes dhe pasojat gjatë sundimit të regjimit diktatorial.
Kryetarja e Autoritetit, Dr.Gentiana Sula i njohu me historinë e veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, dokumentacionin e krijuar dhe përndjekjen e qytetarëve gjatë periudhës 1944-1991. Specialistë të arkivës dhe të mbështetjes shkencore prezantuan tipologji të ndryshme dokumentesh, botimet shkencore, ekspozitat informuese dhe edukuese.
Shqipëria sot njihet edhe përmes katalogjeve turistike, ajo ka një të shkuar totalitare e cila ka lënë gjurmë në historinë dhe formimin e mentalitetit të shoqërisë sonë. Ndryshimi dhe nevoja për krijuar një të ardhme sa më të lirë e të drejtë vjen vetëm përmes njohjes së të kaluarës,
“Vizitorët e huaj duan të mësojnë më shumë për Shqipërinë, një vend me kulturë jashtëzakonisht të pasur, në atë udhëkryq mes Perëndimit e Lindjes, ku idetë shpesh janë përplasur tragjikisht e ku mësimet e historisë ndonjëherë përthithen me vështirësi.”- thotë Lea Ypi, një shqiptare, mendimtare e botës, peligrine e lirisë dhe transformimit.