Në një kohë kur Tirana ka nevojë për ndërtimin e shkollave, pasi mësimi po bëhet me 2 turne dhe në disa zona nuk ka asnjë institucion arsimor, qeveria ka vendosur të ngrejë një kompleks qeveritar.
Lajmin e dha kryeministri Rama, i cili mori pjesë në zhvillimin e konkursit ndërkombëtar, ku 10 studio arkitekturore do të paraqesin idetë për 4 projekte te reja, që do të shërbejnë për zyrat e reja të administratës shtetërore.
Sipas kryeministrit Rama, disa nga godinat aktuale të institucioneve kërkojnë kosto të mëdha mirëmbajtjeje dhe miliona euro qira vjetore.
“Janë 4 zhvillime që i hapin rrugë një qasje të re dhe një roli të ri të shtetit me pronën publike. Aktualisht sot, institucionet publike paguajnë disa miliona euro në vit qira për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg të qenit të denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030, larg të qenit të denja për atë që meritojnë qytetarët që shërbehen nga këto institucione dhe për kushtet në të cilat duhet të punojnë shërbëtorët e shtetit.
Janë një sërë institucionesh që vijojnë punën e tyre në hapësira që paraqesin probleme në mirëmbajtje, pasi janë godina të vjetra nga periudha komuniste. Sot arkitektët janë thirrur të na ofrojnë idetë dhe projektet e tyre, për të na dhënë mundësinë që të ndërtojmë një kompleks të madh qeveritar, i cili do të akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe nga ana tjetër një tjetër godinë publike ku do të akomodohen të tjera institucione.
Shteti nuk do të dorëzoj më prona ashtu siç i ka dorëzuar në të shkuarën te privatët, por do të futet në një rol po aq aktiv si përfaqësues i pronës së vetë përmes AIC, për të nxjerrë nga shfrytëzimi i pronave publike, të mira publike dhe të ardhura financiare që do të shërbejnë për të tjera investime”, u shpreh ai ndër të tjera.
Ky projekt i ri i qeverisë duket se do të marrë nga buxheti i shtetit qindra miliona euro, ndërkohë që nuk dihet se çfarë do të bëhet me godinat që janë aktualisht në funksion të administratës shtetërore.
Ndoshta, duke marrë parasysh deklaratat e Ramës pak kohë më parë kur tha se do të shtohej numri i kullave në Tiranë, këto godina aktuale mund të shemben për t’i lënë vendin ndërtimeve shumëkatëshe që deri më tani kanë rezultuar dështim për kryeqytetin tonë, pasi pjesa dërrmuese e apartamenteve apo zyrave kanë ngelur pa shitur.