Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet për vdekjen tragjike të 7-vjeçares Jonada Avdiaj, e cila u përplas për vdekje me skaf më 2 gusht 2022, dhe ka ngritur akuzat ndaj 9 të pandehurve.
Ish-shefi Seksioni i Policimit në Komunitet në Elbasan, Arjan Tase akuzohet për veprën penale të “Vrasje me dashje” në mënyrë indirekte dhe shpërdorim detyre. Ai përplasi të miturën me skaf në breg të detit teksa po pushonte me familjen e saj.
Sipas hetimeve ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit nga ana e drejtuesit të mjetit lundrues Arjan Tase të zonës së përcaktuar (kufizuar) për notarë si dhe manovrës së gabuar në drejtimin e mjetit.
Hetimet janë përqëndruar në institucionet përgjegjëse të ngarkuara për zbatimin e sigurisë në plazhe gjatë sezonit turistik dhe konkretisht Bashkia Himarë, Komisariati Himarë si dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, duke u marrë në cilësinë e të pandehurve 9 zyrtarë të këtyre institucioneve, si shefii sektorit të kufirit, shefi i stacionit në Dhërmi, tre policët që duhet të kontrollonin vijën bregdetare, specialisti i rendit në Himarë dhe dy policë të Bashkisë të cilët kanë kryer kontrolle në vendin e ngjarjes.