Rama nis spastrimin e partisë, gardën e vjetër e çon drejt “gijotinës” në zgjedhjet e vitit 2025

Përfshirja e shumë zyrtarëve të lartë në korrupsion dhe lidhje me krimin, që janë arrestuar nga SPAK, ndërkohë që shumë të tjerë janë nën hetim, ka detyruar kryeministrin Rama që të fillojë spastrimin e partisë nga figurat e vjetra dhe të inkriminuara.

Teksa pak kohë më parë vendosi të emrëonte disa ministra të rinj, të cilët nuk ishin pjesë e politikës active, sot ka njoftuar vendimine  radhës që do të “presë” të tjera koka në radhët e gardës së vjetër të socialistëve.

Në Asamblenë e Partisë Socialiste që po mbahet në Durrës, Rama njoftoi se ai vetë dhe të gjithë deputetët që kanë disa mandate, do të jenë në listën e hapur të deputetëve, çfarë do të thotë se do të duhet të punojnë shumë më shumë dhe të mbledhin mijëra vota të tjera nëse do të duan të jenë sërish pjesë e Kuvendit.

Lexo edhe: EMRAT/ Rama zgjedh drejtuesit e rinj politikë: Surpriza në Elbasan dhe Berat, Balla delegohet në Diasporë

Ky vendim i Ramës duket si një strategji e re e kryeministrit, që përpara se t’i hedhë deputetët e vjetër në “duart e popullit”, ka vendosur që disa prej tyre t’i shtrydhë mirë edhe një herë të fundit, për t’i siguruar atij sa më shumë vota dhe për t’i garantuar qëndrimin në pushtet edhe për të paktën një mandat tjetër.

“Sot dua të ndaj që më e mirë është që deputetet me më shumë se një mandat, pa përjashtuar edhe drejtuesit e qarqeve, ku bëj pjesë edhe unë të jenë në garë të hapur si gjithë të tjerët. Ndërsa në listën e mbyllur mund të jenë vetëm pak prej tyre që do të kenë detyra specifike drejtuese dhe koordinuese.”, tha Rama.