Prej një viti në burg pasi bashkëpunonte me eksponentë të krimit, KPK shkarkon prokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita

Një vit pas arrestimit të tij në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita është shkarkuar nga detyra.

Edhe pse Lita u pezullua nga detyra pak ditë pas arrestimit me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vijoi investimin në kryerjen e procesit të vetingut të tij, duke e përmbyllur hetimin administrativ paraprak vetëm me konstatimet në kriterin e pastërtisë së figurës.

Procesi i vetingut për Litën u krye nga trupa e KPK e kryesuar Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.

Ditën e sotme, Komisioni zhvilloi seancën dëgjimore dhe shpalli vendimin për Litën, për shkarkim nga detyra, i cili megjithëse nuk ishte i pranishëm, u përfaqësua nga avokati Arben Nela.

“Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Xhevahir Lita, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës.  Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Suela Zhegu, z. Roland Ilia relator, znj. Genta Tafa Bungo anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve”, njoftoi KPK.

Kujtojmë se sipas SPAK, Lita ka marrë para në këmbim të ndarjes së informacioneve ndaj personave të përfshirë në krim të organizuar, si edhe i ka orientuar si të japin deklarime në polici.