Policia e Vlorës sekuestron dy makina me vlerë 280 mijë euro, nën hetim dy persona

Policia e Vlorës ka vënë në hetim dy persona, të cilët akuzohen se trafikonin në Shqipëri automjete të vjedhura në Itali dhe më pas i pajisnin me dokumente false me qëllim shitjen e tyre.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Luxury cars” janë proceduar penalisht shtetasit F. M., 33 vjeç, banues në Lezhë dhe F. D. alias B. T., 32 vjeç, banues në Luz i Vogël, Kavajë.

“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas kanë trafikuar në Shqipëri, automjete të vjedhura në shtete të ndryshme, kryesisht në Itali, duke iu bërë ndryshime në elementet identifikuese dhe duke i pajisur këto automjete, me dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë.” – thuhet në njoftimin e bluve të Vlorës.

Në cilësinë e provës materiale uniformat blu kanë sekuestruar dy automjete tip “Mercedes Benz”, të dyshuara të vjedhura, me vlerë rreth 280 000 euro.

Policia njofton se në drejtimin e Prokurorisë Vlorë vijojnë hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera të trafikimit të automjeteve, që mund të kenë kryer këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.