Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri të ditur sot vendimin e Këshillit Mbikqyrës për të mos prekun normën bazë të interesit.
“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.
Megjithatë, Këshilli gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këto rrethana, ai do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në vazhdimësi ecurinë e presioneve inflacioniste dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për arritjen e objektivit, përfshi edhe normalizimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare”, tha Sejko.
Sipas Guvernatorit, inflacioni ka ardhur në rënie ndërsa ekonomia nuk është rritur si një vit më parë. Në këto kushte, Banka Qendrore vendosi të mos bëjë asnjë ndërhyrje. Ndërsa për rënien e fortë të euros, Guvernatori nuk pranoi të flasë.
Fjala e plotë
Sot, në datën 5 korrik 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.
Informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në gjysmën e parë të vitit, ndonëse me ritme më të ngadalta në krahasim me periudhën paraardhëse. Në të njëjtën kohë, inflacioni ka ardhur në rënie, duke pasqyruar më së shumti rënien e inflacionit të importuar.
Në tërësi, këto zhvillime kanë qenë në linjë me trendet aktuale në ekonominë botërore dhe në përputhje me pritjet tona. Po ashtu, përditësimi i parashikimeve sugjeron se këto tendenca do të jenë të pranishme edhe në të ardhmen: aktiviteti ekonomik në vend pritet të vazhdojë të rritet gjatë tremujorëve në vazhdim ndërsa inflacioni pritet të vijojë rënien graduale dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Megjithatë, Këshilli konstatoi se presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta dhe përmbushja e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve mund të kërkojë një normalizim të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen.
***
Inflacioni shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë, duke regjistruar një vlerë mesatare prej 4.7% në muajt prill-maj. Kjo dinamikë është diktuar nga rënia e inflacionit të çmimeve të ushqimeve të përpunuara, të naftës dhe të produkteve të lidhura me të, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës është shfaqur relativisht i qëndrueshëm.
Në aspektin makroekonomik, trendi rënës i inflacionit pasqyroi ecurinë e ngjashme të këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros, si dhe efektet e bazës së lartë krahasuese. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten të larta, në pasqyrim të kërkesës së lartë për mallra e shërbime, të kushteve të shtrënguara në tregun e punës dhe të rritjes së shpejtë të pagave e të kostove të punës.
Sipas të dhënave të Instat-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 2.7% në tremujorin e parë të vitit, duke ardhur në ngadalësim krahasuar me tremujorin paraardhës dhe duke qenë në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Rritja ekonomike pati një bazë të gjerë, si në terma sektorialë ashtu dhe në terma të përbërësve të kërkesës agregate. Në të njëjtën kohë, ngadalësimi i ritmit të rritjes kishte një bazë relativisht të gjerë, ndonëse ai ishte më i spikatur në sektorët e ndërtimit e të industrisë dhe në përbërësin e konsumit familjar.
Në aspektin makroekonomik, rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka pasqyruar pozicionin e shëndetshëm të bilanceve financiare të sektorit privat, kushtet ende të favorshme të financimit dhe rritjen e eksportit të shërbimeve shqiptare, e kryesisht të atyre të turizmit. Nga ana tjetër, politika fiskale ka pasur një ndikim neutral ndërkohë që bilanci i shkëmbimeve të mallrave me jashtë ka dhënë një ndikim negativ.
Ndonëse në ngadalësim, zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës agregate ka pasqyruar në një shkallë të lartë shfrytëzimin e kapaciteteve në ekonomi. Ky fenomen mbetet më i spikatur në tregun e punës. Të dhënat e disponuara për tremujorin e parë na sugjerojnë vijimin e trendit të rritjes së punësimit e të pagave, duke mbështetur zgjerimin e fuqisë blerëse të familjeve por dhe duke mbajtur të larta presionet e brendshme inflacioniste.
Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë ka ndihmuar në funksionimin e qetë të tregjeve financiare. Megjithatë, gjatë tremujorit të dytë, këto tregje janë karakterizuar nga një reduktim i normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të kredive në lekë, si dhe nga një forcim i shpejtë i kursit të këmbimit. Nga njëra anë, rënia e normave të interesit të lekut ka pasqyruar gjendjen e mirë të likuiditetit në tregjet financiare dhe reduktimin e primeve të rrezikut të perceptuar nga agjentët e tij. Nga ana tjetër, forcimi i kursit të këmbimit të lekut ka pasqyruar përmirësimin e vazhdueshëm të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, si dhe rritjen e interesit për të kursyer e investuar në monedhën tonë kombëtare.
Në tërësi, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka krijuar kushte financiare më të përshtatshme për kontrollin e inflacionit. Megjithatë, edhe pse drejt shtrëngimit, kushtet e financimit mbeten ende stimuluese për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Në përgjigje të tyre, kredia për sektorin privat vijon të rritet ndërsa cilësia e portofolit të saj ka mbetur e kënaqshme, sikurse ilustrohet edhe nga nivelet e ulëta të raportit të kredive me probleme. Shëndeti financiar i sektorit bankar sugjeron se ky sektor do të jetë i aftë të vazhdojë ti përgjigjet kërkesave të ekonomisë për fonde.
Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe se inflacioni do të shënojë rënie graduale dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.
Rënia e inflacionit do të pasqyrojë reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në tregjet globale dhe normalizimin e qëndrimit të politikës monetare në vend. Ky normalizim do të krijojë një balancë më të mirë midis kërkesës dhe ofertës, do të mbështesë stabilitetin e tregjeve financiare si dhe do të ndihmojë në kontrollin e pritjeve të agjentëve ekonomikë për inflacionin.
Nga ana tjetër, aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të rritet gjatë tremujorëve në vijim. Ritmi i rritjes pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë dy viteve të ardhshme dhe t’i kthehet niveleve historike në afatin e mesëm e të gjatë. Ky parashikim faktorizon shëndetin e mirë financiar të sektorit privat dhe atij bankar të ekonomisë shqiptare, perspektivën pozitive të tregut të punës, përmirësimin e besimit të familjeve dhe bizneseve, si dhe praninë e një ambienti financiar ende akomodues.
***
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
- të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%;
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00%;
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.
Megjithatë, Këshilli gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këto rrethana, ai do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në vazhdimësi ecurinë e presioneve inflacioniste dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për arritjen e objektivit, përfshi edhe normalizimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare.
Në çdo rast, politika monetare do të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e saj në frenimin e aktivitetit ekonomik dhe pasojave të mundshme të padëshirueshme në stabilitetin financiar.